Pavarësisht nga përgënjështrimet e Partisë Demokratike nga Tirana, Interpoli italian konfirmon se Taulant Alibeaj, vëllai i ish-ministrit të Drejtësisë së PD-së, është arrestuar nga policia gjermane pasditen e 5 prillit në lagjen numër nr.59065 në qytetin e Hamm.
Shqiptarja.com verifikoi përmes burimeve italiane të Europolit dokumentin me të cilin policia kriminale Gjermane kërkon të verifikojë me kolegët italianë autenticitetin e një dokumenti fiskal të gjetur në pronësi të Taulant Alibeajt në momentin e arrestimit. Alibeaj, që rezulton nga dokumentat që ka lindur në Seman të Fierit më 2 gusht 1977, akuzohet nga policia gjermane për “grabitje me armë”.
Pikërisht në këtë dokument policia gjermane zbulon që në momentin e arrestimit vëllai i politikanit shqiptar të PD-së, kishte në pulsin e tij një orë me një vlerë aq të lartë, sa krijoi tek gjermanët dyshime të forta.
Lajmi i arrestimit të Taulant Alibeaj, ish-funksionarit të Policisë së Shtetit pranë repartit RESI, ku ka mbajtur detyrën e inspektorit, është konfirmuar për “Shqiptarja.com” fillimisht nga burime pranë Policisë së Shtetit shqiptare. Taulant Alibeaj u është prezantuar efektivëve të policisë gjermane me emrin Xhavit Mornica, shtetas ky kosovar që pas verifikimeve gjermane kishte jetuar në këtë shtet, por në fakt ishte dëbuar qysh prej vitit 2002.
Ka qënë ora 16:00, momenti kur Alibeaj është ndaluar nga policia gjermane, e cila e ka shoqëruar menjëherë në postën më të afërt të policisë, pas dyshimeve që kishin krijuar për një lidhje të Taulant Alibeaj në një ngjarje kriminale, ku ai dyshohet se ka grabitur me armë. Se për çfarë grabitje bëhet fjalë kjo vijon të mbetet mister, pasi burime të Policisë së Shtetit dhe EuropolRomës, nuk japin sqarime konkrete, por thonë se ndaj Alibej ka nisur një proces hetimor në Gjermani, mirëpo pa s’qaruar rrethanat e lirimit të tij, qoftë edhe nëse ai është liruar me një garanci pasurore apo ndodhet në masën e “detyrim paraqitjes” në polici.
Kjo pasi Alibeaj gjatë komunikimit dy herë me televizionin “Report Tv”, dje ka folur me “Skype”, duke treguar se ndodhej jashtë ambjenteve të policisë dhe se ishte person i lirë në Gjermani, duke shtuar se ai në asnjë moment nuk ishte arrestuar nga policia. Mirëpo të kundërtën tregojnë disa dokumenta të mbëritura nga policia Gjermane,e cila pas arrestimit të Alibeaj kanë vënë në dijeni nga autoritet Gjermane Europol Romën dhe Interpol Tiranën, kjo pasi gjatë kontrollit fizik në polici, në portofol Taulant Alibeaj i janë gjetur disa dokumenta që gjermanët kanë dyshuar se janë të falsifikuara.
Gazeta “Shqiptarja.com” siguron ekskluzivisht këto dokumenta dhe më konkretisht ato janë një kartë indentiteti të lëshuar nga autoritet shqiptare me emrin “Taulant Alibeaj”, një kartë indentiteti për Taulant Alibeaj të lëshuar nga Policia e Shtetit,gjatë kohës kur ka qënë inspektor tek reparti policor “RESI” në Tiranë dhe një dokument italian, e cila është lëshuar nga ministria e Financave Italiane, ku ka paisur me një kod fiskal shtetasin Taulant Alibeaj ne vitin 2002. Gjermanët dyshojnë se këto dokumenta të gjetura gjatë kontrollit fizik të të ndaluartit Alibeaj, janë të falsifikuara, kjo pasi në intervistimin e parë nga policia Gjermane, ai është prezantuar si shtetas Kosovar me emrin Xhavit Mornica.
Pas dyshimeve për një falsifikim të mundshëm të këtyre dokumentave shqiptare dhe Italiane, Europol Gjerman ka kërkuar shpjegime nga homologët e tyre në Itali dhe Shqipëri, lidhur me Taulant Alibeaj, i cili është vllai i Enkelejd Alibeaj, që mban postin e Shefit të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Partinë Demokratike.
Ora luksoze në dorë
Në momentin e arrestimit të Taulant Alibeaj në Gjermani, një detaj që policëve u ka rënë në sy dhe e kane evidentuar ne raportin e derguar prane Europol ne Itali është edhe një orë kronograf te cilesuar prej tyre si “shume te shtrenjte te markës Breitling” që ai mbante në dorë. Sipas tregut kjo orë mund te kushtoje nga 5000 euro deri 20.000 euro. Ne habinë se një ish polic shqiptar, aktualisht i papunë, mund të ketë në dorë një orë kaq të shtrenjtë, policia gjermane, vendosi ta sekuestrojë orën deri në sqarimin e plotë të rrethanave.
Dy intervistat me “Skype” nga Gjermania për “Report Tv”
Taulant Alibeaj:S’jam arrestuar sulm politik prej Enkelejdit
Taulant Alibeaj, vëllai i kreut të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeajt hedh poshtë që të jetë ndaluar nga policia gjermane, për grabitje.Në një lidhje telefonike për “Report Tv”, ai mohoi të disponojë dokumente identiteti false, apo identitet të dyfishtë. Sipas tij, kjo histori e trilluar ka prapavijë politike, për shkak të funksionit të vëllait të tij në Partinë Demokratike, si Shef i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike.
Z.Taulant, në media është raportuar se jeni ndaluar nga policia gjermane për grabitje…Si është e vërteta?
Të vërtetën e dinë ata që e kanë dhënë këtë lajm. Por unë jam i lirë dhe momentalisht jam duke pirë kafe me një shok.
Ndodheni në gjermani dhe nuk jeni ndaluar?
Në mënyrë absolute jo. Unë s’kam makinë. Dhe jo më të kem kryer vjedhje me armë. Është një bumerang nga ata që është publikuar ky lajm. Unë jam i lirë në këto çaste.
Është abuzim i policisë shqiptare apo asaj gjermane?
Nuk e di se çfarë mund të jetë kjo dhe nuk më intereson. Por e vërteta është se ka të bëjë me vëllain tim që ka një funksion të lartë në PD. Pra, ka të bëjë direkt me Enkelejdin. Ka motive politike.
Në datën 6-7 prill, kur thuhet se jeni ndaluar…keni qenë në Gjermani ato ditë?
Kam festuar me shokun tim, pasi atë ditë nusja e shokut kishte ditëlindjen. Kjo është lehtësisht e verifikueshme. Kam qenë duke pirë me shoqërinë për atë ditëlindje. Është gjithçka trillim. Unë nuk jam ndaluar.
18:30 Lidhja me Skype nga Gjermania, Taulant Alibeaj: S’jam ndaluar nga Policia
Në një komunikim të dytë për Report Tv, këtë herë me Skype, Taulant Alibeaj, vëllai i ish ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, mohoi edhe njëherë tjetër të jetë arrestuar nga policia gjermane.
Z.Alibeaj, jeni ndaluar nga Policia gjermane në 6 prill?
Jo. S’jam ndaluar nga asnjë lloj policie. kam qenë pjesë e forcave të rendit deri në 2013-ën.
Keni qenë në Gjermani në këto data?
Jam momentalisht në Gjermani dhe jam i ftuar tek një miku im për çështje familjare.
E mohoni që jeni arrestuar?
Absolutisht po. Nuk di se për çfarë bëhet fjalë. Mund edhe ju të më sqaroni.Nga raportimet flitet se jeni paraqitur me dokumente të falsifikuara.Unë nuk kam pse të paraqes dokumente të tjera, përsa kohë kam dokumentet e mia. Unë jam Taulant Lutfi Alibeaj, i lindur në Fier. Më vjen keq për çfarë flitet. Shqiptarja.com
(Dokumentat që policia gjermane i ka gjetur Taluant Alibeaj dhe ua ka nisur për verifikim policisë shqiptare dhe italiane)