Agron Shehaj, kryetari i partisë Mundësia tha në “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania se një bashkëpunim me partinë e Dashamir Shehut, për të do të ishte një lloj “vetëvrasje politike”.
Ai tha se për sa kohë partitë e vogla janë krijuar të tilla, të ndara, ka një arsye të qartë se pse ato nuk mund të bashkohen.
Sipas tij bashkime të tilla mund të ndikojnë në humbjen e besueshmërisë dhe largimin e grupeve të njerëzve që përfaqësohen nga këto parti.
“Ke debati që bëhet vazhdimisht për partitë e reja, për mendimin tim nuk kap thelbin e problemit. Pa dyshim do ishte mirë të ishim bashkë, por për sa kohë ne jemi të ndarë ka një arsye pse jemi të ndarë.
Për shembull, unë me Arlind Qorin nuk mund të jemi bashkë sepse kemi ideologji të kundërta, gjithashtu me partitë e tjera, nuk mund të bashkohemi sepse jemi të ndarë. Do dështojnë partitë e vogla? Pse kanë dështuar këto 30 vite? Kush është arsyeja kryesore? Politika është besueshmëri, votohesh nëse ke besueshmëri dhe nuk votohesh nëse nuk ke besueshmëri”-tha Shehaj.