Deputeti i PS, Plarent Ndreca ka folur mbrëmjen e sotme sa i takon zhvillimeve më të fundit politike. Fillimisht ai u shpreh mbi marrëveshjen e emigrantëve me Italinë.
“Italia ka qenë shumë herë më shpesh në krah tonin sesa ne. Nuk është çështje parash apo financimesh, shteti italian i ka marrë masat e duhura. Ka bërë investim serioz, ka ngarkuar një forcë të konsiderueshme për të ruajtur sigurinë e kampit dhe atyre që do jenë buajtës ose banorë të përkohshëm, por natyrisht shteti shqiptar do ketë përgjegjësitë e veta ligjore.”
Më tej, socialisti u ndal te Konferenca e Dytë Ndërqeveritare me BE, si një moment historik për vendin tonë.
“Kemi hyrë në një proces teknik të komunikimit me BE. Pjesa politike është më shumë se sa nga ne varet nga anëtarët e BE që kanë vlerësimin e tyre.”
I pyetur për tensionet e shtuara mes opozitës dhe mazhorancës së fundmi, Ndreca tha se të djathtët krizën e kanë të brendshme.
“Unë nuk di se ku është pesha dhe përgjegjësia jonë në raport me opozitën, është në këtë fazë për shkak të një vendimi të Gjykatës së Apelit. Nuk e di ku është roli i mazhorancës që ta tensionojë apo çtensionojë opozitën. Nuk ka shqiptar që nuk e pa si u dogjën karriget para Parlamentit, si u gjuajt me këmbë karrige dhe me mikrofon kryeparlamentarja, se si nuk i lejuan kolegët e tyre të marrin fjalën. Janë fakte aq publikë, sa është e ulët të përpiqesh të fshihesh pas një procedure. Tregon dhe pafuqinë e paburrërinë e opozitës në këtë pikë, se për sa kohë ti ke vendosur të bësh ato gjeste unë mendoj se është një vendimmarrje politike dhe duhet t’i dalësh për ballë. Po nga njëra anë thua unë kam marr vendim të bojkotoj parlamentin, dhe nga ana tjetër fshihesh pas procedurës se pse kanë marrë masa disiplinore.
Ata kanë dalë aty dhe madje me bindje politike për të marrë masa sepse veprimet që kanë kryer janë të dënueshme. Dolën publikisht dhe thanë se do bëjnë mosbindje civile paravarëisht se ajo nuk ka element dhune si formë proteste. Por duhet të marrësh përgjegjësi! Kjo tregon sa konfuzë dhe të papjekur janë. Mazhoranca po e ushtron detyrën, patjetër që opozita nëse ka zgjedhur këtë rrugë gjithmonë do përpiqet t’ja transmetojë krizën e vet mazhorancës. Por mazhoranca është solide, po ushtron detyrën e saj. Dalja në rrugë nuk është opozitë institucionale, në gjykimin tim është tradhti ndaj votës që qytetarët të kanë dhënë për të punuar në Parlament.”
Kushtin e opozitarëve për qeveri teknike e cilësoi ‘kërkesë absurde’.