Deputeti Arbi Agalliu, pjesë e grupimit të ri politik “Djathtas1912”, i ftuar në Euronews, shpjegoi se grupimi i tij u distancua nga Partia Demokratike nën drejtimin e Sali Berishës, duke theksuar se në atë strukturë nuk lejohej diversiteti i mendimeve dhe bindjeve.
Ai theksoi se mungesa e lirisë së shprehjes e motivoi grupimin e Enkelejd Alibeaj të ndaheshin nga Berisha dhe të krijonin një alternativë të re për elektoratin.
“Për fat të keq, Partia Demokratike kaloi në një kalvar peripecish që pengoi shprehjen e lirë të mendimeve të kolegëve që mendonin ndryshe. Ne bëmë një ndarje të qartë në shtator të vitit 2021, duke e konsideruar se e ardhmja e vendit nuk duhet përfaqësuar nga një klasë politike me një të shkuar korruptive,” tha Agalliu.
Ai përmendi se pas mbylljes së një cikli, grupimi u përball me tri mundësi: të riktheheshin te Berisha, të iknin nga politika ose të krijonin një mënyrë për t’u përfaqësuar si individë që besonin në vlera të caktuara.
“Ashtu siç duhet të japim meritën shumë kolegëve të asaj force për gjërat e mira që kanë bërë. Me mbylljen e një cikli të caktuar e gjetëm veten përballë 3 mundësive. Një mundësi ishte që ashtu si disa kolegë të shkonim tek zoti Berisha, një rrugë ishte të shkonim në shtëpi dhe një alternativë ishte të gjenim një mënyrë për t’u përfaqësuar, individë që besonin në disa gjëra,” –tha Agalliu.