Prej vitesh tashmë, sa herë që flitet për dyshen Elvana Gjata-Flori Mumajesi nuk diskutohet vetëm për këngët apo për performancat e tyre, por edhe për një marrëdhënie intime ende të pavërtetuar.
Duket se në të njëjtin “kurth” ka rënë edhe suplementi “Panorama Plus”, ku në një artikull të publikuar ditën e sotme është shkruar se jo vetëm që mes Florit dhe Elvanës ka diçka më tepër sesa bashkëpunimi profesional, por ata po shkojnë drejt zyrtarizimit të marrëdhënies së tyre.
Madje, artikulli shton më tej të dhëna të bizneseve në zotërim të këngëtarëve, duke dhënë detaje edhe për “Proper Pizza”, biznesin në të cilët të dy zotërojnë aksione.
Për të hedhur dritë mbi atë çka është shkruar, Elvana Gjata, e kontaktuar nga Blitz.al, është shprehur:
“Marrëdhënia me Florin? Po, ka një të vërtetë! Bashkë me Florin jemi aksionarë të “Proper Pizza”.
Ndërsa, si për të shuar për të disatën herë radhazi zërat e një raporti intim me kolegun e saj, ajo shton:
“Mediat janë të lira të shkruajnë çfarë të duan. Kanë kohë që e bëjnë këtë. Është një marrëdhënie e komplikuar, do thoshte Facebook”,- ka përfunduar deklaratën e saj për Blitz.al Elvana.