Polici që më ka dorë zuar sendet personale të Francit më ka thënë: “Ata që kanë qëlluar në mes të kamerave në Spanjë, nuk e kishin për gjë që të qëllonin edhe këtu”. Kështu shprehet Kristina Konomi, nëna e Franc Konomit, i vrarë në mes të Tiranës rreth 6 vite më parë nga persona ende të paidentifikuar. Gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”, 75-vjeçarja rrëfen momentet që i kujtohen nga përshëndetja e fundit që i biri i kishte dhënë një javë para tragjedisë, si dhe bisedën që pak kohë pas ngjarjes ka bërë me një shokun e tij.
Zonja Kristina, po bëhen rreth 6 vite që djali juaj, Franc Konomi, është vrarë me armë zjarri në mes të Tiranës nga persona, të cilët nuk janë identifikuar ende nga policia. Gjatë gjithë këtyre viteve, keni marrë ndonjë përgjigje se si janë duke u zhvilluar hetimet?
Nuk kam marrë asnjë përgjigje. Më kanë premtuar, por ende asgjë gjë.
Keni takuar ndonjë person në drejtorinë e policisë për ta pyetur se si po vijojë hetimet për Francin?
Kohët e fundit nuk kam pyetur më, sepse më janë shuar shpresat, edhe pse thonë se shpresa vdes e fundit. Por, para disa vitesh, djali im së bashku me dy shokë të tij ka shkuar te një biznesmen që ka një ndërtesë te “Rruga e Kavajës” për t’i kërkuar disa para që ia kishte për të dhënë Francit. Kur djali i ka kërkuar paratë, ai kishte filluar ta ofendonte, duke i thënë se nuk do t’ia jepte asnjëherë. Në ato momente, në lokalin e biznesmenit mësova se ka qenë edhe një polic i komisariatit numër 3 dhe e ka dëgjuar të gjithë bisedën. Por, nuk e di arsyen përse djalin tim dhe dy shokët e tij i ka marrë dhe i ka çuar në komisariatin numër 2 dhe kanë qëndruar aty për 24 orë. Të nesërmen në mëngjes kam shkuar kam takuar një drejtor policie që të nxirrja djalin nga komisariati, pasi ai nuk kishte bërë asnjë faj. Kur djali ka dalë prej andej, më ka treguar se një polic i kishte qëlluar me shkelm në bark. As sot nuk e di përse ma morën djalin në komisariat. Më pas i kam thënë që jam nëna e Franc Konomit. Kur i jam prezantuar, më tha se do të interesohej. “E kam njohur nga afër – më tha – ai duhej të jetonte”. Ai më dha një shpresë.
Të kujtohet takimi i fundit që ke pasur me Francin?
Takimi i fundit me Francin ka qenë nga fundi i muajit qershor të 2010. Në atë kohë unë isha në Greqi dhe Franci erdhi ndenji rreth dy javë. Në Shqipëri ka ardhur një javë para tragjedisë. Më kujtohet se kur u ndamë, më ka përshëndetur disa herë me duar. Ecte dhe kthente sërish kokën nga mua (sytë i mbushen me lot).
Franci ka qenë i martuar?
Jo, nuk ka qenë i martuar. Franci ka dy fëmijë. Një vajzë e ka me një shqiptare, ndërsa tjetrën me një gjermane.
Bisedon me to? Takohesh?
Jo, sepse nuk kam më asnjë kontakt me to. Ma kanë mbyllur telefonin. Madje, mbesa e Shqipërisë më ka thënë kur ishte e vogël se do vinte të më takonte kur të rritej.
Kur morët vesh për ngjarjen dhe erdhët nga Greqia në Tiranë, në momentin që efektivi i policisë ju dha çelësat e shtëpisë dhe sendet personale të Francit, çfarë ju tha?
Personi që më dha sendet e tij personale, si çelësat e shtëpisë dhe portofolin me pak lekë që kishte pasur, sepse makinën ma kanë dhënë nja një javë më vonë, privatësisht më tha (jo në zyrë): “Ata që kanë qëlluar në mes të kamerave në Spanjë, nuk e kishin për gjë që të qëllonin edhe këtu”.
Kjo do të thotë se autorët e dyshuar të vrasjes janë në Spanjë?
Domethënë që dihen. Ata kanë pasur konflikt me njëritjetrin. 17 vite bashkë, qëlluan njëri-tjetrin, njëri vdiq, tjetri u plagos. GSH