Më datë 15 tetor, pritet që Bashkimi Europian të çelë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë. Një proces i shumëpritur, që përveçse mundësive, shtron përpara dhe shumë sfida, një pjesë e rëndësishme e të cilave ekonomike.
Janë disa detyra shtëpie që qeveria dhe biznesi duhet të realizojnë, si formalizimi i ekonomisë; lufta kundër korrupsionit; harmonizimi i kuadrit ligjor; zbatueshmëria e ligjit dhe riorganizimi i biznesit.
Por çelja e negociatave dhe rrugëtimi i Shqipërisë në realizimin e reformave do të ndihmohet me fonde nga Bashkimi Europian.
Sektorët që pritet të përfitojnë më shumë financime, për tu rritur zhvilluar janë bujqësia; turizmi dhe tregtia.
Por si paraqiten marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë me Bashkimin Europian?
Vendi ynë realizon pjesën më të madhe të tregtisë dhe vendet europiane, pjesë e unionit, më saktësisht 57.8% të totalit të shkëmbimeve tregtare. 71% e eksporteve tona janë drejt tregjeve europiane, ndërsa ne importojmë nga Bashkimi Europian 51.4% të mallrave dhe produkteve që konsumojmë në vend.
Cilët janë partnerët kryesorë tregtarë të vendit?
Rezulton nga të dhënat se në vend të parë është Italia, me 27.9% të totalit të shkëmbimeve tregtare, pasuar nga Turqia, Kina dhe Greqia./A2CNN