Analisti Skënder Minxhozi thotë se djegia e selisë së Partisë Socialiste nga protestuesit e opozitës, është një akt që dëmton demokracinë. Minxhozi u shpreh se selitë politike nuk do duhen të preken. Sipas tij, Berisha ka pritur të shpërthejë një ngjarje, pas akuzës së SPAK për çështjen “Partizani”.
Skënder Minxhozi: Kanë premtuar mosbindje civile prej sot e tutje pa afat. Por unë besoj se tek parlamenti do të jetë goditja e fundit. Kjo djegia e selisë së partisë, ka një simbolikë. I prish punë demokracisë shqiptare. Është dhënë një mesazh që nuk do duhej të jepej. Shtëpitë politike nuk do duhen të preken. Kjo është vandalizëm, jo mosbindje civile. Kanë vota, por nuk kanë protestues. Berisha mezi ka pritur një ngjarje, që të shpërthente diçka të tillë, po kërkonte të acaronte marrëdhëniet me SPAK dhe qeverinë. Doli dhe akuza zyrtare për Berishën për çështjen Partizani. Berisha, ngjarjen e Salianjit e kapi në ajër dhe u fsheh për të krijuar një ngjarje kombëtare që është protesta e sotme.
Ndërsa analisti Frrok Çupi se PD nuk është më një parti politike. Çupi shtoi se në PD kanë mbetur persona të cilët i cilësoi si terroristë.
Frrok Çupi: Është ligësi e padiskutueshme. Terrorizmi vret një njeri, por tremb 10 milionë. Këta kanë zgjedhur koincidencat me Hamasin, sulmin e Hamasit, kanë zgjedhur data të tjera të revolucionit të Leninit, të ditëlindjes së Putinit. Ne nuk kemi të bëjmë tani me një parti politike. Me atë që ka ngelur në fund të kazanit. Janë terroristë, janë njerëzit e terrorit në atë që ka ngelur Parti Demokratike. Kjo ishte për të liruar Sali Berishën. Një nga thirrjet është të lirojnë Berishën, tjetra kundër drejtësisë. Kush është ai që është kundër drejtësisë?