Opozita nis sot atë që e ka cilësuar mosbindje civile, një protestë kombëtare të thirrur në kryeqytet.
Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se leja nga policia për protestën nga opozita është marrë për katër orë, nga ora 18:00 deri në orën 22:00. Nuk dihet nëse ky orar do të respektohet nga opozita apo do të tejkalohet. Kjo pas deklaratave të shumta edhe nga demokratët, që nuk është vendosur asgjë mbi kohëzgjatjen e saj.
Ndonëse nuk ka një skenar të qartë të bërë publik për protestën e opozitës në Kryesinë e PD dhe më pas në Këshillin Kombëtar u vendos që të jetë një protestë marshim në formën e mosbindjes civile dhe duket se kështu do të ndodhë.
E vetmja gjë që dihet është se mbështetësit e opozitës do të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe te selia e PD, teksa më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Aty nuk do të ketë fjalime, teksa më pas pritet që turma të lëvizë dhe do të bllokohen disa akse rrugore, por që vetë nga PD nuk ka asnjë njoftim zyrtar.
Protesta e thirrur nga opozita ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit. Burime nga policia bëjnë me dije se mbi 1500 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Po ashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve.