Ish- kryeministri, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi kanë zgjedhur që t’i dërgojnë me postë kundërshtimet e tyre për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme mbi dosjen “Partizani”.
Avokatët e ish-kryeministrit i janë përgjigjur me një material 250 faqesh të gjitha pretendimeve të SPAK.
Berisha dhe Malltezi janë të pandehurit e fundit nga 5 të tillë në dosjen “Partizani”.
Më herët paraqitën kundërshtimet edhe dy biznesmenët, Fatmir Bektashi i akuzuar për korrupsion dhe pastrim të parave, Xhimi Begeja i akuzuar për pastrim të parave, gjithashtu edhe financierja, Andia Pustina edhe kjo me akuzën e pastrimit të parave.
Më 11 shtator, SPAK i komunikoi Berishës akuzën “korrupsion pasiv”, ndërsa dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi “korrupsion pasiv dhe pastrim parash”.
Dy prokurorët kanë mbyllur hetimet dhe dosja i ka kaluar gjykatës së Posaçme që do të mbajë një seancë paraprake për të vendosur nëse do të nisë gjykimi për 5 të pandehurit apo ka nevojë për të tjera hetime.
/a.r