Gazeta prestigjoze greke “Kathimerini” ka botuar së fundi një shkrim me nota të forta kritike ndaj kryeministrit Rama, sa i përket qendrimit të këtij të fundit për krizën e refugjatëve sirianë.
Nën titullin “Zoti Rama, dëgjo popullin tënd dhe ki besë, bashkëpuno fillimisht me Greqinë”, gazeta greke e nis shkrimin me përshkrimin e situatës së krijuar në Greqi nga dyndja e refugjatëve nga Lindja e Mesme, ku theksohet se vendi është në prag të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
“Memoria kolektive e kombeve është baza e ekzistencës së kulturës dhe përcakton sjelljen e tyre. Sa më i vjetër të jetë një komb, aq më të thellë e ka historinë dhe kujtesën kolektive. Grekët dhe shqiptarët janë dy kombet më të vjetër të Gadishullit të Ballkani, secili ka kujtesën e vet kolektive”, shkruan “Kathimerini” teksa evokon emigrantët grekë në vitin 1922 që u largan në Azinë e Vogël.
Për këtë arsye shkruan “Kathimerini”, “grekët kanë një ndjesi personale në çështjen e refugjatëve dhe shumë prej tyre janë përpjekur për t’i ofruar atyre mikpritjen, pavarësisht krizës ekonomike dhe qëndrimit antieuropian të disa vendeve të BE-së”
Në vijm të shkrimit thuhet se “edhe shqiptarët nga ana e tyre nuk harrojnë valët e emigrimit drejt Turqisë në shekullin e 20-të dhe kryesisht në Greqi dhe Itali 25 vjet më parë. Ata kujtojnë skenat e ashpra në 7 dhe 8 gusht 1991 në portin e Durrësit, ku mijëra shqiptarë u mblodhën për të ikur drejt Italisë. Ata kujtojnë se si këta emigrantë shqiptarë u përshëndetën nga karabinierët italianë në Bari. Disa raportime thonë se 12 shqiptarë u vranë nga italianë të armatosur, ndërsa shumë të tjerë u mbytën në det”, shkruan “Kathimerini”.
Sipas gazetës greke, në kontrast me këtë sjellje të Italisë, Greqia hapi kufirin e saj në Epir dhe mirëpriti qindra mijëra emigrantë shqiptarë, dukë u dhënë ushqim e strehim, si dhe duke i ndihmuar të lëvizin në zonat urbane të Greqisë.
“Grekët u dhanë punë shqiptarëve dhe ata ndihmuan gjithashtu që ekonomia greke të rritej më tej. Sot në Greqi janë qindra mijëra shqiptarë që dërgojnë para në familjet e tyre në Shqipëri. Duke kuptuar se çfarë do të thotë të jesh një refugjat, shumë grekë bënë atëherë, atë që shumë janë duke bërë edhe sot. Por çfarë është duke bërë qeveria shqiptare?”, shtron pyetjen “Kathimerini”.
Këtu nisin edhe kritikat e gazetës greke me kryeministrin Edi Rama, teksa shkruhet:
“Ndërkohë që populli shqiptar ruan në kujtesën e vet kolektive atë periudhë, kryeminsitri shqiptar Edi Rama duket se ka harruar. Si rezultat ai ka rritur masat e sigurisë në kufirin me Greqinë, duke penguar hyrjen e refugjatëve që janë aktualisht në territorin grek. Me sa duket kryeministri shqiptar nuk i ka dëgjuar deputetët e tij socialistë, sillet në një mënyrë jo-socialiste, duke u dhënë shkas kundërshtarëve tëtij brenda partisë për ta sfiduar atë, pasi e dinë që populli shqiptar mendon ndryshe nga ai”, thekson “Kathimerini”, duke iu referuar ndoshta deputetit Ben Blushi, i cili ka deklaruar publikisht se është në favor të mikpritjes së refugjatëve.
Në vijim të shkrimit shihen shenja “xhelozie” për faktin që Shqipëria po bashkëpunon me Italinë për të siguruar kufijtë e saj, duke anashkaluar Greqinë.
“Në vend që bashkëpunimi i parë të jetë me Greqinë fqinje, zoti Rama preferon bashkëpunimin me Italinë, për sigurinë e territorit shqiptar, duke harruar kështu ngjarjet e vitit 1991 dhe duke dhënë përshtypjen se Shqipëria nuk është në gjendje të trajtojë vetë çështjet e sigurisë”, shkruan gazeta greke.
Më tej “Kathimerini” shkruan se përkundër këtij qëndrimi të Edi Ramës, shqiptarët dhe grekët ia kanë dhënë mesazhin për hapjen e kufijve.
“Kështu, në vend të mbylljes së kufijve, zoti Rama duhet të kuptojë që tani pranvera ka ardhur, bora në male ka shkrirë dhe shtigjet janë hapur. Në të njëjtën kohë refugjatët janë tashmë duke lëvizuar drejt veriut në kufi me Shqipërinë. Dhe ai nuk mund të bëjë ndonjë gjë për t’i ndaluar ata të kalojnë malet e larta të Epirit. Në vend që të mbështetet te policia italine, me siguri do të ishte e mençur që ai ta ndante me Greqinë ekspertizën e menaxhimit të qendrave të pritjes së refugjatëve. Bashkë me Athinën ai do të ishte në gjendje të trajtonte më mirë rrjedhën e refugjatëve”, shkruan “Kathimerini”.
Në fund të artikullit të gjatë prestigjozja greke i bën thirrje qeverisë shqiptare të veprojë mbi naza morale dhe të bashkëpunojë me Athinën për t’iu përgjigjur kësaj thirrje humanitare.
“Sa i civilizuar është një vend, nuk matet nga sa i përparuar teknologjikisht është apo nga standardet e larta të jetesës, por nga mikpritja që ofron. Përfitimet afatgjata për Shqipërinë do shumëfishohen nëse bashkëpunon me Greqinë, nëse pranon shpërblimet kalimtare të malësorëve. Në ditët e sotme, kriza e vazhdueshme e refugjatëve ngjall kujtime të forta për të dyja palët, grekët dhe shqiptarët. Të dy popujt kanë besë, apo besim. Sot, në personin e zotit Rama, Shqipëria është e ftuar nga historia të dëshmojë besë te Greqia. Nëse Rama refuzon të mbaj mend, ai do të harrohet nga njerëzit e tij”,përfundon shkrimi i “Kathimerini”./lapsi