Në Vlorë situata e përmbytjeve vijon të jetë ende problematike në 4 kryesime të qytetit, ku banesa dhe biznese vijojnë të jenë të përmbytura, ndërsa 55 persona janë evakuuar duke u strehuar në konviktet e qytetit.
Konkretisht të përmbytura janë rrugët te Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji ka dhe brenda xhamisë së qytetit, ndërsa në terren po punohet për largimin e ujit në blloqet e banesave dhe dyqaneve.
Lagja “Pavarësia”, “Kushtrimi”, “Hasan Kushta”, “28 nëntori” “1 maj” e “Karabash” janë ndër më të prekurat.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se në terren janë angazhuare dhe Fortat e Armatosura që po ndihmojnë me pompa për largimin e ujit.
“Në mbështetje të tyre janë edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura, me 5 mjete transporti, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 pompa thithëse. Efektivët e FA po punojnë me dy pompa për largimin e ujit nga stacioni kryesor i pompimit, ku ende vazhdon të ketë prezencë uji”, njofton Vengu.
Të gjitha strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë të angazhuara në terren që prej pasdites së djeshme, për të riparuar të gjitha problematikat e shkaktuara nga reshjet me intensitet të lartë gjatë 24 orëve të fundit.
Hidrovori i qytetit punon me kapacitet të plotë, duke bërë tërheqjen graduale të ujit. Gjithashtu në disa zona është stakuar energjia elektrike, kryesisht aty ku kabinat elektrike kanë prani uji.
Gjithashtu bashkia dhe vetë qytetarët po mbledhin ndihma që më pas të shpërndahen tek familjet në nevojë.
/a.r