Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure, (SHSHH), ka reaguar mjaft ashpër, lidhur me aludimet e bëra nga ana e koncesionarit për ngjyrosjen e karburanteve, ndaj kompnaive që merren me hidrokarburet në Shqipëri. SHSHH kërkon të tërhiqen mbrapsht aludimet e hedhura nga abuzuesit e koncensionit se ky koncension është kundërshtuar nga kompani që duan evazionin fiskal. “Garantojmë se në shoqatën tonë nuk kanë aderuar kurrë kompani “flluska” që krijohen e zhduken sipas terrenit abuzues që krijohet njësoj si koncensioni në fjalë”, thuhet në reagimin e SHSHH.
Shoqata rendit edhe 5 arësyet që çuan në vendimin e qeverisë Berisha për aferën e ngjyrosjes së karburanteve ku spikasin: Së pari- Në fillim u përdor kompania kanadeze “Global Fluids”, çka erdhi si një emër i madh të cilës qeveria e kohës i dha dhe 6% bonus për meritën e madhe se ofroi ofertën pa ia kërkuar; Së dyti- Meqënëse formalisht duhej bërë një tender, në ofertat e paraqitura në Ministrinë e Financave pati një të tille që markimi të bëhej me 200 lekë/1.000 litra, por kjo siç duket nuk iu mjaftonte fantazmave që fshiheshin pas koncencionit; Së treti- Papritmas në tender del një zarf i vetëm me ofertë të përbashkët të tre kompanive: “Global Fluids International”, “Cotecna Inspections”, “Petroleum Consulting Partners”: Tashmë markimi nuk do të realizohej me 200 por me 614/ lek për 1.000 /lit plus TVSH-në; Së katërti- Ministria e Financave në mënyrë të habitshme lidh kontrata me këtë bashkim kompanish për markimin e karburantit me 614/lek për 1.000 /litra; Së pesti- Qeveria e kohës, duke qenë se po hynim në kohë zgjedhjesh, shpejton ta bëjë sa më të ligjshëm këtë koncension: Duke qenë se plani i investimit, i hartuar nga vetë kompanitë nuk i kalonte 4 milion dollar, nuk mund të kalohej në parlament si ligj, atëherë ndërhyn qeveria përmes nxjerres së dy vendimeve.
“Po në këto vendime u shpall tarifa kombëtare e markimit dhe markuesi kombëtar me emër “Petromark TM”, i vetëm i këtij koncensionari. Askush nuk guxoi të ulej me neve dhe të diskutohej mbi koncensionin, sepse çdo gjë ishte paracaktuar.
Duke u ndodhur përballë kësaj situate neve vazhduam betejën tonë në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar tarifen kombëtare të markimit, e cila u vendos me VKM, sepse dihet që taksat dhe tarifat kombetare vendosen me ligj dhe jo me vendim qeverie. Në dijeninë tonë votimi në Kushtetuese “4 me 5” tregon se kemi patur pak të drejtë“, thuhet në deklaratën e SHSHH.
(javanews.al)