Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 16:00 në aksin Levan-Tepelenë në vendin e quajtur Buzmadh.
Një furgon mallrash dhe një furgon pasagjerësh janë përplasur “kokë më kokë” duke lënë pas 6 të plagosur.
Në vendngjarje kanë mbërritur tre autoambulanca që kanë transportuar të plagosurit për në spitalin rajonal të Fierit.
Sipas informacioneve paraprake të siguruara, të gjithë të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se shkak për aksidentin është bërë lagështia në rrugë dhe shpejtësia tej normave të lejuara e mjeteve. Policia sakaq po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në përplasjen e dy furgonave.