Sulmet me raketa mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban kanë krijuar një zonë tmerri dhe paniku për popullsinë e dy vendeve, ku të shumta janë viktimat dhe të plagosurit nga përplasjet që sa po vijnë e po intensifikohen ditët e fundit.
Në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, shqiptarja Ksenia Jakoel Efimovski, e cila jeton në kufirin mes Izraelit dhe Libanit ka treguar edhe vendstrehimin e saj në rast sulmi. Në pamjet e sjella ekskluzivisht për “Jetë Shqiptare”, Jakoel sqaron se një dhomë të tillë të bunkerizuar dhe me dyer prej hekuri e kanë thuajse të gjitha apartamentet në zonë, pikërisht për t’u mbrojtur në raste sulmesh.
Ajo sqaron se në këtë dhomë janë të vendosura sendet kryesore për mbijetesë si ujë e ushqime të konservuara, ilaçe si dhe një radio.
“Jetoj shumë afër zonës që janë bombarduar, gjendja nuk është e qetë, pritet që do ndodhi diçka. Neve prisnim që kur u vra një nga liderit e Hamasit, prisnim sulme nga Irani por nuk pati. Nga Libani kemi sulme pafund gjatë gjithë kohës, sidomos gjatë ditëve të fundit. Në shtëpitë tona kemi vend strehimi, të gjitha apartamente kanë një dhomë të blinduar për t’u mbrojtur nga sulmet. Në këto dhoma kemi mjetet kryesore për mbijetesë dhe gjërat kryesore”, tha ajo.
Shqiptarja sqaron se çdokush ka aplikacione të ndryshme në telefona që lajmërojnë në rast sulmi dhe se kohë ka në dispozicion, ndërsa bien edhe sirenat.
“Kemi disa aplikacione në telefon ku të dërgojnë menjëherë sinjale në rast sulmesh dhe sa kohë ke 30 sekonda, 1 minutë, varet nga zona. Gjithashtu bien edhe sirenat që lajmërojnë për sulmet dhe ne futemi në strehimore”, u shpreh ajo.
/a.r