Gjashtë emigrantë janë vrarë pasi disa ushtarë në Meksikë qëlluan me armë zjarri ndaj një automjeti që po transportonte 33 njerëz në jug të vendit. Ministria e mbrojtjes njoftoi se 10 emigrantë mbetën të lënduar në incidentin që ndodhi 40 kilometra larg nga kufiri me Guatemalën. Patrulla reagoi duke qëlluar me armë pasi automjeti po lëvizte me shpejtësi të lartë dhe nuk ndaloi për kontroll.
Raportohet se ushtarët përdorën armët pasi dëgjuan shpërthime, ndërsa ata janë pezulluar deri në përfundimin e hetimit. Sipas ministrisë së mbrojtjes të Meksikës, 33 emigrantët ishin nga vende si Egjipti, Nepali, Kuba, India dhe Pakistani, të cilët synonin të hynin ilegalisht për në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kërkoj që të ndërhyhet në këtë situatë dhe të mos kalojë pa u ndëshkuar. Kjo ngjarje duhet të sqarohet dhe të ndihmoni familjarët e këtyre njerëzve që u vranë. Është e nevojshme që autoritetet ta marrin këtë seriozisht”, deklaroi koordinatori i Strehës së Emigrantëve, Daniel Hernandez.
Çdo vit me qindra mijëra emigrantë kalojnë nga Meksika me shpresën për të shkelur tokën amerikane, duke u arratisur nga varfëria dhe dhuna në shtetet e tyre të origjinës. Përgjatë rrugës, shpesh bien viktima të bandave kriminale, dhunës nga autoritetet dhe të incidenteve të ndryshme. Shumica udhëtojnë të fshehur nëpër kamionë dhe keqtrajtohen nga trafikantët e qenieve njerëzore.
/a.r