Gjykata e Posaçme ka shpallur moskompetencën për 5 ish-zyrtarë të Bashkisë së Durrësit pjesë e dosjes së Vangjush Dakos. Ferzilet Hajdëri, Adnand Toçila, Diana Dedja, Bashkim Salillari dhe Hanza Reka të cilët kishin kërkuar gjykim të zakonshëm do të gjykohen në një gjykatë rrethi pas vendimit këtë të mërkurë të GJKKO-së.
Pesëshja akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa togat e zeza vlerësuan se nuk është kompetencë e kësaj gjykate gjykimi i këtyre personave.
Ndërkohë që së shpejti për pjesën tjetër të grupit ku përfshihen Vangjush Dako, Fiqiri Farrukun, Fatmir Ejupin dhe Adrian Bulkun do të lexoget pretenca nga SPAK, pasi është ndarë çështja për shkak se kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.
5 ish-zyrtarët pretenduan se akuza nuk është kompetencë për tu shqyrtuar nga GJKKO. Dako akuzohet për “shpërdorim detyre”, në dy raste. Njëri ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë. Dako u arrestua në muajin qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi Prokuroria nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.