Anëtarët e Partisë Socialiste do të vendosin sot nëse do të mbahen apo jo zgjedhje për kreun e partisë. Votimi për referendumin ka filluar prej orës 08:00 të mëngjesit, dhe pritet që deri në orën 16:00 plot 81.572 socialistë në mbarë vendin të shprehin qëndrimin e tyre me votë.
Ata do të japin verdiktin e tyre në pyetjen e referendumit “Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe kryetari i saj është zgjedhur Kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i kryetarit?”.
Të drejtë vote në këtë referendum do të kenë të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste të anëtarësuar deri më datë 31 dhjetor 2015. Ky vendim është marrë nga drejtuesit e PS-së për të shmangur pretendimet e zërave kundër, se referendumi do të manipulohet me anëtarë të rinj të anëtarësuar në parti.
Do të jenë 383 qendra votimi në të cilat do të votohet në të gjithë vendin. Në të gjitha këto zona do të ketë edhe vëzhgues, të cilët do të ndjekin mbarëvajtjen e procesit, rezultatet e të cilit pritet të bëhen publike mesditën e së dielës.
Për të shmangur problematikat në zona të caktuara, apo njësi administrative të caktuara, ku numri i anëtarësisë është më i madh, socialistët do të kenë gati edhe 15 qendra të tjera votimi.
Pavarësisht se numri i anëtarëve të Partisë Socialiste është shumë herë më tepër se numri i anëtarëve që do të kenë të drejtë vote që referendumi të jetë i vlefshëm, duhet që në votime të marrë pjesë më shumë se gjysma e 81.572 anëtarëve me të drejtë vote.
Ky orar i votimit mund të shtyhet në rast se në vendvotime do të ketë ende votues që presin në radhë për të votuar. Kryetari i PS-së, Edi Rama, edhe pse referendum do të bëhet pikërisht për mandatin e tij do të votojë ashtu si herën e parë për delegatët, në zonën e tij, në Surrel të Dajtit, ku tashmë banon prej kohësh. Rezultatet e referendumit pritet të publikohen të dielën rreth mesditës, siç është bërë me dije nga drejtuesit socialistë.
PJESËMARRJE E LARTË VOTUESISH NË DURRËS
Socialistët e Durrësit i janë drejtuar që prej orës 8 të mëngjesit të sotëm qendrave të votimit për të dhënë verdiktin e tyre për referendumin. Nga Durrësi njoftohet se ka një pjesëmarrje të lartë votuesish.
Në këtë qark kanë të drejtë vote 3500 anëtarë, ndërsa vetëm në Durrës kanë të drejtë vote 2300 anëtarë.
HAFIZI: DJE U NDRYSHUAN ANËTARËT E KOMISIONIT TË VOTIMIT PËR SHKODRËN
Deputetja socialiste Mimoza Hafizi ka ngritur shqetësimin se pasditen e djeshme janë ndryshuar anëtarët e Komisionit të Votimit, duke u shprehur se ajo nuk ka mundur të kontaktojë me ta për të paraqitur disa kërkesa.
“Që dje kam ardhur në Shkodër për të parë ecurinë e referendumit. Deri dje mbasdite Komisioni Zgjedhor për Shkodrën nuk ishte mbledhur ende. Vetëm në mbasdite kanë ndryshuar anëtarët e Komisionit, për arsye që nuk dihen. Kisha disa kërkesa për të parashtruar në këtë Komision, por nuk kam mundur t’i takoj. Vetëm mëngjesin e sotëm kam takuar kryetarin e komisionit. Kërkesa kryesore është për të pasur vëzhgues në procesin zgjedhor, por kam të pamundur të kem vëzhgues pasi nuk kam mundur ende të kontaktoj me komisionin”, tha Hafizi.
RAMA E DEPUTETET FTOJNE SOCIALISTET TE MARRIN PJESE NE REFERENDUM
Dje kryeministri Rama, njëherësh kryetar i PS, ftoi gjithë anëtarët socialistë që të votojnë në referendum, për të dhënë kontributin e tyre, në forcimin e demokracisë brenda partisë.
Rama publikoi dje, pasdite, vetëm një status në rrjetin social, “Facebook”, ku shkroi: “Nesër (sot) një ditë e shënuar për PS që pyet anëtarësinë me referendum. Pjesëmarrja e çdo anëtari kontribut për forcimin e demokracisë në PS”.
Ndërkohë deputetët e ministra socialistë ishin dje të shpërndarë nëpër rrethe të ndryshme të vendit, për të ndihmuar në përgatitjen e referendumit të sotëm.
Ndërsa pala kundërshtare e referendumit, dy deputetët Ben Blushi e Mimoza Hafizi, gjithashtu kanë zgjedhur pak rrethe për të kërkuar bojkotimin e referendumit. Ishte vetë kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili në fund të kongresit të 19 marsit shtroi për diskutim çështjen e mandatit të tij si kryetar.
Megjithëse e ka pranuar se PS nuk ka bërë zgjedhje për kryetarin me marrjen e pushtetit, Rama tha se kjo nuk mund të bëhej tani, por hodhi në kongres idenë për një referendum. Pas shumë debatesh, për shkak të mospranimit të kësaj ideje nga Blushi e mbështetësit e tij, ishte kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi që caktoi datën 9 prill për këtë referendum.
BW