Rënia e euros përtej projeksioneve të qeverisë i kursyer buxhetit të shtetit ketë vit rreth 8,8 miliardë lekë ose 88 milionë euro në shlyerjen e borxhit të jashtëm.
Përllogaritjet i ka bërë Ministria e Financave në ndryshimet e fundit të bëra në buxhetin e shtetit nëpërmjet një akti normativ.
Në shpenzimet e parashikuara për interesat e borxhit gjatë vitit 2024 vlerësohet të ketë një kursim, në vlerën prej 2 miliardë lekësh, në interesat e jashtme, kryesisht si rezultat i efektit të kursit të këmbimit referon Ministria e Financave.
Gjithashtu, zëri i ripagesave të borxhit të jashtëm rishikohet me një ulje prej rreth 6.8 miliardë lekësh, po si rezultat i efektit të kursit të këmbimit, si dhe të mos-materializimit të pagesave të mundshme, të parashikuara për t’u kryer nga Ministria e Financave për kredi të garantuara, pagesa të cilat janë kryer nga vetë huamarrësi.
Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve theksohet se ndryshimet e propozuara në këtë akt normativ do të vijojnë të garantojnë trajektoren rënëse të nivelit të borxhit publik, në raport me PBB-në, në përputhje me rregullin respektiv fiskal, të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit.
Pavarësisht nivelit të lartë të kursimeve në shërbimin e borxhit prej kursit të këmbimit dhe të ardhurave të grumbulluara me tepër deficiti buxhetor mbeti i pandryshuar në nivelin e 57.2 miliardë lekëve.
Brenda masës së deficitit ka ristrukturime. Financimi nëpërmjet kredive të huaja, në formën e mbështetjeve buxhetore, rritet me rreth 3.2 miliardë lekë, duke reflektuar disbursimin e pritshëm të paradhënies së mbështetjes së Bashkimit Evropian, që do të akordojë për vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të planit të ri ekonomik.
Edhe vitin e kaluar më shumë se gjysma e uljes së borxhit publik gjatë vitit të kaluar erdhi si rezultat i forcimit të lekut në kursin e këmbimit.
Banka e Shqipërisë vlerësoi se raporti i borxhit publik bruto ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ra në 59.2% në fund të vitit 2023, duke qenë rreth 5.3 pikë përqindje më i ulët se niveli i vlerësuar në fund të vitit 2022.
Sipas Bankës së Shqipërisë, më shumë se gjysma e kësaj rënieje, ose 2.7 pikë përqindje, i atribuohet efektit të mbiçmimit të lekut kundrejt euros.
Nga fillimi i vitit deri në 4 shtator euro është nënçmuar ndaj lekut me 3.3 lekë, duke u këmbyer në vlerën e 99.7 lekëve dje nga 103.2 që ishte në fillim të janarit.
/a.r