Shefi i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka sqaruar mosprezencën e Lulëzim Bashës dhe Sali Berishës në inaugurimin e presidentit Thaçi.
Në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri Hashim Thaçi, morën pjesë një numër i madh i politikanëve nga Shqipëria, duke u nisur nga presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta.
Mirëpo, në këtë ceremoni munguan kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha si dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Lidhur me këtë, shefi i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka në një prononcim për “Zeri.info” ka sqaruar mosprezencën e tyre në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
“Prej PD-së kam ardhur unë si kryetari i grupit dhe nënkryetar i partisë. Zotëri Basha kishte një aktivitet të cilin ai ishte mikpritës dhe ishte përgatitur që përpara dhe për këtë arsye nuk mundi.
Megjithatë ai komunikoi dhe uroi direkt z.Thaçin për detyrën e re. Mendoj se është në eveminent për Kosovën sepse zgjidhet presidenti i Republikës në një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
Kjo është e rëndësishme jo vetëm për Kosovën por gjithë shqiptarët kudo që janë. Kam përshtypjen që kanë qenë të ftuar edhe personalitete të tjera, ish-president, ish-kryeministria dhe ish-kryetar të Parlamentit”, ka thënë ai.
Ndërkohë i pyetur lidhur me atë se a do të jetë Thaçi person unifikues për të zgjidhur problemet në mes të pozitës dhe opozitës, Paloka nuk ka dashur të bëhet pjesë e këtij debati.
“Nuk mund të flas për politikën në Kosovë. Neve na intereson që si shqiptarë që gjërat të shkojnë sa më mirë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë të zgjidhen problemet në paqe dhe mirkuptim. Por të them unë mënyrën dhe rrugën se si duhet të zgjidhen këto probleme, nuk ja lejojë vetës”, ka thënë në fund ai, citohet “Zëri”.