132 persona kanë rënë pre e dhunës në familje në dy muajt e fundit në Qarkun e Korçës Sipas të dhënave zyrtare të policisë për periudhën korrik-gusht janë regjistruar 122 raste të dhunës në familje çka ngre alarmin për këtë problematikë sociale.
Pavarësisht kuadrit të plotë ligjor për mbrojtjen nga dhuna në familje fenomeni shqetësues po shënon rritje.
Sipas avokatit Esmerald Xhafa instrumentat ligjorë të zbatuar në rastet e dhunës në familje mbeten të pazbatueshëm sa kohë shërbimet sociale nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për ti dhënë një zgjidhje përfundimtare çdo rasti dhune.
“Rritja e dënimeve për dhunën në familje nuk jep zgjidhje apo pakësimin e dhunës ne familje. Duhen parë instrumenta të tjerë për të zgjidhur dhunën. Të gjitha intitucionet e tjera e ndërpresin angazhimin e tyre që në momentin që gjykata jep një vendim për urdhër mbrojtje apo arrest me burg. Asnjë nga zyrat pranë bashkive, përmbarimit apo OJF-të nuk merren më me trajtimin e dhunës në familje. Dhuna në familje duhet parë si një fenomen psiko- social dhe njerëzit duhet të orientohen duke u këshilluar se si të sillen në rastet e dhunës në familje. Izolimi dhe burgosja apo rritja e marzhit të dënimit sjell agravimin e dhunës në familje pavarësisht se familja mund të ndahet e mos kemi një familje”, shprehet Xhafa.
Nga 122 raste të dhunës në marrëdhëniet familjare, në 41 raste e dhunuara ka qenë bashkëshorte, 7 raste i dhunuar ka qenë bashkëshorti 9 raste të mitur, 2 raste ka qenë motra, 2 raste vëllai, 26 raste ka qenë prindi dhe 45 raste pjesa tjetër lidhje të tjera familjare.