Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua në Nju Jork me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Në takim, sipas Qeverisë së Kosovës, Kurti se ka biseduar me zyrtarët amerikanë dhe evropianë për çështjen e dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe për “zhvillimet e fundit në vend”.
“Kryeministri Kurti gjithashtu nënvizoi përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë”, u tha në njoftim.
Kosova dhe Serbia vitin e kaluar arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj.
Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme për palët pavarësisht nënshkrimit.
Megjithatë, palët nuk kanë bërë hapa drejt zbatimit të këtyre marrëveshjeve.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
SHBA-ja i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht dialogun për normalizimin e raporteve.
Së fundi, ndërkaq, Qeveria e Kosovës është përballur me kritika nga SHBA-ja, për disa veprime të ndërmarra në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që Uashingtoni i ka cilësuar si veprime të pakoordinuara dhe të njëanshme.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, po ashtu ka deklaruar se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij në disa aspekte.
Ai ka thënë se cilësia e partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës “nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”./rel