Një proces mjaft të rëndësishëm dhe dmeokratizues e ka quajtur referendumin e 9 prillit deputeti socilaist Taulant Balla. Në një koment në Facebook, Balla shkruan se gjithçka është gati dhe komisionet janë ngritur në të gjitha njësitë. Ai shkruan se e rëndësishme është pjesëmarrja e anëtarësisë më shumë se sa rezultati.
Ja statusi i plotë i Ballës:
Për ditën e nesërme, 9 Prill, për Referendumin e PS, për një çështje shumë të rëndësishme të cilën Kongresi ja delegoi anëtarësisë së partisë, për të vendosur dhe për të dhënë verdiktin përfundimtar, gjithçka është gati. Listat e zgjedhësve në çdo qendër votimi janë shpallur prej disa ditësh. Gjithashtu të gjitha komisionet e votimit kanë marrë dokumentacionin, fletët e votimit dhe procesverbalet.
Është bërë një punë e shkëlqyer përsa i përket njoftimit të të gjithë anëtarësisë.
Apeli im sot për çdo anëtar të PS të qarkut Elbasan, qarkut Korçë dhe të të gjithë Shqipërisë është që në këtë ushtrim demokratik brenda PS, çdo anëtar duhet të marrë pjesë.
Për ne nuk është i rëndësishëm rezultati se si do të shprehet anëtarësia, në këtë Referendum, por e rëndësishme është pjesëmarrja e çdo socialisti për të treguar që ky Referendum i parë në një parti politike shqiptare në këto 25 vjet, është një shprehje e demokratizimit të PS.
Ky referendum është një shprehje se PS, si e vetmja forcë udhëheqëse në këtë vend, ka transferuar pjesën më të rëndësishme të vendimmarrjes nga institucionet drejtuese tek anëtari i thjeshtë.
Ky është një hap i madh për të gjithë shoqërinë shqiptare sepse duke u demokratizuar partitë politike, demokratizohet edhe shoqëria shqiptare. Pra, ky Referendum është një zhvillim i rëndësishëm për PS, e cila është partia më e madhe e të gjithë shqiptarëve, por edhe një zhvillim shumë i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri, në tërësi.