Nëna e Ida Dervishit, gruas që u vra nga bashkëshorti oficer i Gardës, tregon se krimi në familje ka qenë i paralajmëruar. Të gjitha institucionet sipas saj ishin në dijeni të dhunës e kërcënimeve të vazhdueshme dhe Garda e Republikës vazhdoi ta lejonte Admir Dervishin që ta mbante armën me vete, edhe kur shkonte në shtëpi pas shërbimit.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Feride Spahiu tregon të gjitha momentet e dhunës ekstreme që vajza e saj Ida përjetonte vazhdimisht nga i shoqi. Ajo shprehet se do të bëjë vetëgjyqësi, nëse nuk bëhet drejtësi për ngjarjen.
Vajza juaj mbeti e vrarë dje (të mërkurën) nga bashkëshorti. Një ngjarje që, nisur edhe nga një urdhër i mëparshëm mbrojtjeje, duket se ishte e paralajmëruar. Si e morët vesh ngjarjen?
Po, e paralajmëruar. Dhe jo një herë, por disa herë, e askush nuk e mori mundimin ta parandalonte këtë që ndodhi, e të shpëtonte vajzën time nga ai njeri. E kam marrë vesh nga televizori, duke parë lajmet në mëngjes. Por unë e mora vesh sikur ajo ishte plagosur dhe ishte jashtë rrezikut për jetën. Ishte diçka që e prisja në fakt. Sapo kam parë këtë lajm, kam marrë taksi dhe jam nisur për te shtëpia e vajzës që të merrja fëmijët. Gjithnjë me shpresën se ajo ishte gjallë. Thosha vazhdimisht me vete që ime bijë eshtë e re dhe do të shpëtojë. Do t’ia hedhë edhe kësaj here.
Çfarë keni mësuar për atë që ka ndodhur?
Ai e ka vrarë në pikë të mëngjesit, çfarë të mësoj unë?! E ka vrarë në sy të fëmijëve. Me paramendim dhe pa iu dridhur syri. Le të qajë tani dhe të bëjë rolin e të penduarit. Ai e ka vrarë vajzën me gjakftohtësi, ashtu siç e kishte paralajmëruar edhe herë të tjera.
E kishte kërcënuar se do ta vriste?
Çdo natë. Sa herë ia jepte truri. Atë dhe djalin e vogël. Asaj i thoshte: “Do të vdesësh e re, moj qyqe”. Ndërsa të birit, vetëm 5 vjeç, i thoshte: “Mami do të vdesë shumë shpejt. Ty do të të rrisë një mami tjetër”. Çdo natë ime bijë flinte me pistoletë te koka. Ai e ka rrahur, e ka kërcënuar, madje edhe e ka përdhunuar. Ju ndoshta nuk më besoni, por po, po ua them unë që e ka përdhunuar. Vajza ime e gjorë m’i kishte thënë të gjitha këto, por edhe shumë e shumë të tjera nuk m’i tha kurrë. “Po t’i them këto, moj mami. Por ka edhe shumë të tjera më të rënda që ti s’ke për t’i mësuar kurrë”, më thoshte vajza.
Kush ishte tjetër në dijeni të këtyre problemeve, a i kishit denoncuar në Polici?
Kudo i kemi denoncuar. Kudo. Por çfarë drejtësie ka këtu. Ju e keni besoj, por po ua tregoj edhe unë (nxjerr nga çanta një urdhër mbrojtjeje të lëshuar nga Gjykata e Tiranës në vitin 2013). Kur askush nuk bëri gjë as pas këtij urdhri, çfarë mund të besosh në këtë vend? Vetë gjyqtarja e kësaj çështjeje i ka thënë vajzës sime, në sallë, kur po jepte urdhrin, që nga ky burrë duhej të divorcohej sa më parë. Sepse edhe ajo e pa se çfarë burri ishte. Çfarë arroganti ishte ai. Nuk donte t’ia dinte as në Gjykatë.
Po vajza pse nuk divorcohej?
Kishte frikë. Sepse ai ka njohjet e tij gjithandej në shtet. Me këto njohje ai ka për të dalë sërish nga burgu. Ja prandaj qan ai, bën si i penduar, krijon alibira, thotë që e vrau për xhelozi. Ju lutem, kjo fjalë është e tepërt. Vajza ime nuk kishte parë kurrë njeri me sy. I bën të gjitha këto, që nesërpasnesër gjykata të pranojë gjykim të shkurtuar dhe ai të dalë nga burgu. Po nuk ka problem. Le të dalë. Atë ditë që ai do të dalë, unë do jem duke e pritur te dera e burgut dhe do t’ia numëroj në lule të ballit, siç bëri ai me time bijë.
Pse kishte frikë vajza, si e kërcënonte?
Vajza e dinte që do të vdiste. Mos sot, nesër. Ajo kishte hallin e fëmijëve. Ai i kishte thënë vazhdimisht se, sa të rritej djali, të bëhej 7 vjeç, ai do t’ia merrte. Unë i thosha herë pas here, rri këtu me mua, mos shko në shtëpi se ai të vret. “Po njësoj është, moj mami. Si këtu, si atje, ai do të më vrasë”, më thoshte.
Sa ka qëndruar te ju pas urdhrit të mbrojtjes?
Ka qëndruar 8 muaj. Atëherë kishte vetëm djalin. Vajza nuk kishte lindur akoma. Gjatë këtyre 8 muajve ai nuk ka lënë gjë pa bërë. Më merrte mua në telefon me numër të fshehtë. Vinte natën te pallati dhe na fikte dritat. Ulte automatin te hyrja e pallatit. U binte xhamave të dritareve, derës. Çfarë nuk bënte. Aq sa vajza u detyrua të shkonte në shtëpi, sepse kishte frikë. Dhe sa shkoi tek ai pastaj, përsëri e njëjta histori. E dhunonte e përdhunonte dhe e la shtatzënë me vajzën që ka tani. Vajzën që e la me gji dhe tani me gji e ushqen vajza tjetër.
Po kohët e fundit, para se të ndodhte vrasja, kishte ndodhur ndonjë rast tjetër dhune?
Ndodhte gjithmonë, çdo ditë. Ai debatonte kot me të, për një fjalë goje. Episodi i fundit, që ishte më i rëndi, ka ndodhur para rreth një muaji e gjysmë. Ida i kishte thënë djalit të vogël, merre pak babin në telefon dhe kërkoi kungull, se do t’i bënte supën vajzës. Djali e ka marrë dhe i ka thënë. Kur është kthyer në shtëpi, vajza e ka pyetur për kungullin. “Nuk më ke thënë gjë”, i kishte bërtitur me sa kishte në kokë dhe kishte filluar ta godiste me sa kishte fuqi. Ja për këtë ndodhnin sherret, për të tilla arsye. Më mori djali i vogël në telefon. “Nëna, babi e ka rrahur mamin. E ka bërë me gjak. Ia ka thyer dhëmbët”. Jam nisur menjëherë për të shkuar aty. E kishin shtëpinë te rruga “Eqerem Çabej” atëherë. E mora në telefon Admirin. “Çfarë m’i ke bërë vajzës, se do të vij të të mbys me duart e mia?”, i kam thënë. Rrugës kam marrë në telefon vjehrrin e vajzës, Astrit Dervishin. Më është përgjigjur e shoqja e tij. I thashë që djali juaj ma ka bërë vajzën për spital. “Më vjen keq, nuk e di pse është bërë djali ynë ashtu. Ne kemi respekt për vajzën tuaj. Ajo është shumë e mirë”, më ka thënë ajo. Kur kam shkuar aty në shtëpi, e kam gjetur vajzën me gjak. E kishte masakruar. Kishte dashur ta mbyste, duke i futur thonjtë në fyt. Ndërkohë që unë shkoja aty, ai kishte marrë në telefon një shokun e tij, që është polic, ai që ju thashë më lart, që më tha që ishte shefi i zonës, i Komisariatit nr.6 dhe i kishte thënë se ka ardhur vjehrra dhe po më kërcënon. Vetëm kur vjen ai dhe hyn në shtëpi.
Punonjësi i Policisë?
Po, po. Por unë nuk e dija se kush ishte. Më flet gjithë kompetenca. “Kush je ti? Çfarë bën këtu?”, më thotë. Qetësohu, i thashë, unë jam nëna e kësaj gruas këtu, që ky zotëria që të ka lajmëruar shiko se ç’mi ka bërë. Kur e pa vajzën në atë gjendje, e kuptoi edhe ai se çfarë kishte ndodhur. Unë doja të shkoja në Polici bashkë me Idën, por ajo nuk pranonte. Kishte frikë. Ndërsa zoti dhëndër, kishte koburen poshtë xhupit dhe e mbante gjithë presion. Pasi e pa vajzën si ishte bërë, ky polici, merr Admirin nga dhoma tjetër dhe nuk e di çfarë flet me të. Pastaj kthehet te ne. “Çfarë doni të bëjmë?”, më thotë mua. Ndërsa Admirit i tha që këtë punë nuk mund ta mbyllte me kaq dhe nuk e ndihmonte dot. Pastaj kur e pa që vajza nuk donte të shkonte në Polici, më dha numrin e tij të telefonit dhe më tha që ta merrja për gjithçka. Ndërsa mua më kërkoi që të rrija aty nja dy net, të qëndroja afër vajzës. Kam qëndruar aty, e kam gdhirë dy net, sepse kisha frikë mos m’i bënte gjë vajzës. Ndërsa po atë ditë, në sy të këtij policit, Admiri bërtiste me të madhe. “Kjo më sjell nënën në shtëpi dhe i jep lekët e mia”, i thoshte. I kam hapur portofolin. “Merre, pa e prekur unë. Brenda ke 60 mijë lekë, të kësaj prerje”, i thashë policit. Unë vetëm sa i ndihmoja me para, nuk kisha nevojë unë t’u hiqja bukën e gojës, edhe aq sa kishin, vajzës sime dhe fëmijëve të saj.
Pastaj u larguat, ndodhi më ndonjë ngjarje e tillë?
Jo, ishte qetësi nja dy ditë. Më mori në telefon ky Polici dhe më tha se ai nuk do guxonte t’i bënte gjë Idës, sepse kishte folur ai me të. U qetësova, me thënë të drejtën. Megjithatë, unë kisha frikë, sepse ai kishte pistoletë. Ia thashë edhe atij policit. “Ky ka pistoletë. Mund ta vrasë, sepse e ka kërcënuar disa herë”, i thashë. “Mos u bëj merak se nuk guxon”, më tha.
Ai kishte mbajtur gjithmonë pistoletë në shtëpi?
Gjithmonë. Nuk e di se kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. Një shef Policie, te Komisariati nr.4, ku kemi bërë kërkesën për urdhër mbrojtjeje, më ka thënë që ai duhet ta kishte dorëzuar armën pas lëshimit të urdhrit nga Gjykata. Në fakt, pas atij urdhri, për të cilin Admiri ishte në dijeni, Idën e merr në telefon një person dhe i thotë që ishte dikush nga Garda dhe të dilte ta takonte për t’i dhënë urdhrin e mbrojtjes. Vajza më merr në telefon dhe më thotë për këtë. Unë i thashë që në asnjë mënyrë. Shefat e Gardës kanë zyra, pse duhej t’i bënin takimet në rrugë. E kam marrë këtë zotërinë në telefon, disa herë, deri sa më në fund ma hapi. “Jam nëna e Idës. Nuk ke zyrë ti që i kërkon vajzës sime takime në rrugë”, i thashë. Më tha t’i tregoja adresën, sepse do vinte për dy orë ta merrte. Ia dhashë adresën e saktë, por nuk erdhi. Pas ca orësh merr Idën në telefon, jo mua, që e kisha marrë, por vajzën dhe i thotë që nuk kishte mundësi të vinte, por të shkonte ta dërgonte urdhrin te sporteli sepse e merrte vetë. Pas kësaj kemi takuar atë shefin e Policisë te Komisariati nr.4 dhe pasi i treguam bisedën, ai na tha që në asnjë mënyrë nuk duhet ta dërgonim ne atje. Pasi këtë veprim e bënte vetë Policia. Po, jo, edhe pas gjithë kësaj, ai vazhdonte të mbante armë. Askush nuk ia hoqi. Panorama.al