Vitet e fundit, të gjitha vendet e NATO-s kanë nisur që të marrin masa për të zbatuar nenin 3 të Paktit të Atlantikut. Sipas këtij neni, çdo vend duhet të jetë i aftë vetë që të mbrohet deri në momentin që mbrijnë përfocimet nga NATO. Pra, Shqipëria duhet të jetë gati për çdo situatë njësoj si të ishte e vetme.
Kjo do të thotë, se pronat e shndërruara shpesh në karakatina, mund të rikthehen në efektivitet ushtarak. Nga bazat te industria. Por, një pjesë e madhe e atyre aseteve tashmë janë privatizuar përmes një procesi që i ka fillesat prej vitit 1994. Në atë kohë u la të mendohej se shumë nga këto prona po ju ktheheshin pronarëve dhe ish oficerëve. Por kjo nuk është e vërtetë.
Shtëpi oficerësh kishte në çdo qytet dhe ishin të ndërtuara në zona të zgjedhura.
Kjo bëri që të gjithë të kthenin sytë për zaptimin e tyre. Më të lakmuara u bënë pronat në bregdet, ku numëroheshin dhjetëra të tilla. Një pjesë e madhe e tyre janë humbur përfundimisht pasi janë legalizuar nën emrat e përvetësuesve. Në mjaft raste, ato janë shitur dhe rishitur.
Institucionet përkatëse nuk japin informcione të sakta sa i përket pronave të ushtrisë me justifikimin se janë informacione sekrete. Megjithatë sipas këtij dokumeti të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, plot 428 prona nuk janë më pjesë e Forcave të Armatosura. Disa prona të ushtrisë u dhanë ndër vite përmes formulës së njohur “Shqipëria 1 euro” që nisi me qeverinë e djathtë dhe vijoi me atë socialiste.
Përfituesit e këtyre kontratave numërohen me gishtat e dorës ku i njëjti biznesmen ka përfituar 2 apo më shumë nga këto prona. Kthimi i karakatinave në asete që punësojnë dhe gjenerojnë të ardhura për ekonominë është diçka pozitive, por, mënyrat e përfitimit dhe përqendrimi ngrenë mjaft pikpyetje. Nuk dihet nëse dhënia e atyre aseteve ka përmbushur pritshmëritë për punësim pasi ato kontrata nuk janë mbikqyrur. Pronat e dhëna tek privatët shtrihen në zonat më të lakmuara në Tiranë dhe në bregdet.
Por, nëse pronat e përvetësuara nga privatët mund të jenë zhvilluar duke punësuar njerëz, një pjesë e madhe e aseteve janë lënë në degradim dhe jashtë çdo kontrolli. Shpesh, ato janë përdorur nga krimi. Në vitin 2017, opozita akuzonte për përdorimin e tuneleve të ushtrisë për ruajtjen e drogës. Në fakt, në vitin 2023, në Krastë të Krujës, një tunel i ushtrisë që ishte jashtë kontrollit, përdorej për kultivimin e kanabisit përmes llampave.
Në atë operacion, u arrestuan edhe 2 punonjës të OSHE që dyshohej se ishin të implikuar për lidhjen e energjisë. Një tjetër rast skandaloz ishte zbulimi i 125 bimëve kanabis në një zonë të pyllëzuar brenda repartit ushtarak të Zall-Herrit, një territor që është ende bazë ushtarake. Në atë aktivitet, ishin përfshirë edhe njerëz me uniformë.
/a.r