Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço është shprehur në studion e emisionit “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 nën moderimin e gazetares Sonila Agostini se drejtues të Policisë janë zbuluar në përgjime si bashkëpunëtorë të organizatave kriminale.
Karamuço vuri në dukje se ministri i Brendshëm duhej të jepte profilin e kreut të ri të Policisë së Shtetit, ndërsa theksoi se vetëm elementi i moshës është bërë i ditur për publikun.
“Ministri i Brendshëm më shumë la detyra ose shpalosi vizionin se çfarë i takon drejtorit të ri sipas asaj që ai ka planifikuar të ndjekë me përparësi te Policia e Shtetit. Por nuk tha asnjë element me vetë profilin e drejtorit të policisë së Shtetit. E vetmja që na dikton edhe udhëzimi, por edhe ligji i ri për Policinë e Shtetit, është mosha e re. Në ligj është futur edhe lirimi para kohe me pension të pjesshëm. Pra janë disa nga këto dispozita që nënkupton rigjenerizim të forcave policore”, theksoi Karamuço.
Eksperti i kriminalistikës shpjegoi më tej se integriteti është elementi kryesor që duhet pasur parasysh pasi sipas tij shumë nga drejtuesit e qarqeve, shefa komisariatesh dhe agjentë të policisë janë kapur në përgjime duke bashkëpunuar me krimin.
“Nga ana tjetër integriteti është një elementët kryesorë sepse edhe nga këto procedimet penale të SPAK-ut, Sky EÇ dhe EncroChat ne kemi parë një përfshirje të drejtuesve dhe të shefave të komisariateve, agjentë dhe oficerë të policisë gjyqësore të përfshirë në vepra të rënda kriminale, bashkëpunëtorë të organizatave kriminale. Ti mund t’i japësh që publiku janë figura të reja por nesër nga hetimet e SPAK-ut del që është i përfshirë. Atëherë çfarë bëre? Asgjë! Je hapa mbrapa!”, tha më tej Karamuço.
/a.r