Nga Eduard Zaloshnja
Nga Censi-23 rezultoi se në Shqipëri banojnë rreth 116 mijë shtetas të vetëdeklaruar si bektashij, por numri i madh i besimtarëve të pacilësuar (raportuar rreth 332 mijë), i atyre që preferuan të mos përgjigjen (raportuar rreth 244 mijë), dhe i atyre që nuk ishin të disponueshëm (raportuar rreth 134 mijë) – në total rreth 710 mijë – e bën të paplotë tablonë e besimeve fetare që na jep Censi-23 për Shqipërinë.
Në Barometrin e Sigurisë të CSDG-së (që u bazua në vrojtimin rigoroz statistikor që drejtova unë në gjithë territorin e Shqipërisë në periudhën 6-15 prill), kishte edhe një pyetje rreth besimit fetar, konkretisht “Në cilën fe besoni, nëse besoni?”. Dhe kësaj pyetje vetëm 0.2% e të anketuarve preferuan të mos i përgjigjen. Kështu që ky barometër na jep një tablo të plotë statistikore për besimet fetare të popullsisë së rritur të vendit.
Nga vrojtimi mësipërm statistikor rezultoi (me ekstrapolim të përafërt statistikor) se rreth 206 mijë banorë të rritur vetëdeklarohen si bektashij. Nga këta, më shumë se gjysma (rreth 105 mijë) banojnë në Rajonin Jugor, rreth 75 mijë banojnë në Rajonin Qendror, dhe rreth 26 mijë në Rajonin Verior (shihni tabelën e mëposhtme)
Shënim: Kufijtë e rajoneve në këtë tabelë janë si vijon: Rajoni Verior nga Fushë-Kruja deri lart në Vermosh, Rajoni Qendror nga Fushë-Kruja deri poshtë në Lumin Shkumbin, dhe rajoni Jugor nga Lumi Shkumbin deri poshtë në Konispol
Po sa të devotshëm si besimtarë janë bektashijtë në Shqipëri?
Në rang republike, vetëm 10.6% e bektashijve të rritur shkojnë të paktën një herë në dyjavor në teqe etj. Por kjo përqindje është më e lartë në Rajonin Jugor (14.2%).
Vetëm 18.9% e bektashijve të rritur shkojnë të paktën një herë në muaj në teqe (në rang republike). Por kjo përqindje është më e lartë në Rajonin Jugor (20.4%). Dhe kjo diferencë gjeografike shpjegohet me faktin se më shumë se gjysma e bektashijve janë të përqendruar në Rajonin Jugor.
Shënim: Niveli devotshmërisë së bektashijve është fare pak më lart se mesatarja e të gjitha feve në Shqipëri.