Finalizohet operacioni policor i koduar “Silver”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Tregtonin bizhuteri të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduar, procedohet penalisht një shtetase dhe punohet për kapjen një shtetasi tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Silver”.
Në kuadër të këtij operacioni u procedua penalisht shtetasja D. B., 50 vjeçe, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, ”Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe ”Tregtimi dhe transporti i mallrave që janë kontrabandë” parashikuar nga nenet 180, 174 dhe 178 të Kodit Penal. Gjithashtu po punohet për lokalizimin e djalit të saj, shtetasit I. B., 28 vjeç.
Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në një subjekt në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dhe në një tjetër në një qendrër tregtare në rrugën Tiranë-Durrës. Gjatë kontrolleve në këto subjekte, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, aksesorë argjendi për të cilat nuk disponoheshin fatura doganore e tatimore dhe të ardhurat e përfituara nga shitja e tyre, fshiheshin nga dy autorët e dyshuar.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar aksesorë argjendi, me peshë 9830 gram, të dyshuar të kontrabanduar.
Materialet i kaluan Prokurorisë.