Partia Agrare Ambientaliste nuk u bë pjesë e polit të tre të politikës shqiptare, teksa formacioni që do të sfidojë PS dhe PD në zgjedhjet e 2025 u krijua nga LZHK e Dashamir Shehit dhe ish-deputetët demokrat Enkelejd Alibeaj, Flutura Açka dhe Arbi Agalliu.
Për kreun e saj Agron Duka dalja vetëm në zgjedhje nuk është opsion për PAA, pasi Kodi i ri Zgjedhor e penalizon si parti e vogël, ndaj ai i shtriu dorën për një aleancë Partisë Demokratike.
Por, Duka nga studio e emisionit “Off the record” në A2 CNN i vendosi një afat PD dhe kreut të saj Sali Berisha për lidhjen e koalicionit, duke kërkuar që deri në tetor të jenë selektuar figurat që do të kandidojnë në zgjedhje.
“Në këto kushte gjykoj unë, me pragmatizëm, partitë e vogla duhet të bëjnë aleancë me një grupim të madh dhe të dalin me një sigël aleance. Hapi i parë është që të gjejmë akord me këtë që jemi sot, me grupimin më të madh që është PD. Natyrisht që bisedojmë por e kemi shumë të vështirë pasi lideri i opozitës është në izolim. Diskutojmë gjithmonë me këtë pjesën tjetër, me Nokën, Bylykbashin për Durrësin. Ajo që unë dhe PAA kemi kërkuar publikisht duhet ti ketë shkuar në vesh zotit Berisha. Brenda shtatorit jo për hall të Partisë Agrare Ambientaliste, por për leverdi të gjithë opozitës duhet të zgjidhet problemi i koalicioneve, pasi nuk ka kohë. Jemi në limitet e kohës, nëse në tetor nuk selektojmë njerëzit që do të kandidojnë, atëherë do e kemi të vështirë të mbledhim votat në të gjithë Shqipërinë”, tha Duka.
Në vijim Duka sqaroi edhe kushtet që PAA ka për firmosjen e një koalicioni me një nga partitë e mëdha, duke thënë se kërkon përfaqësues në lista për 10 nga 12 qarqet, e po ashtu të paktën 1 kandidat në listën e mbyllur që përkthehet në deputet të sigurt sipas Kodit të ri Zgjedhor.
“Unë mendoj duke pasur parasysh zgjedhjet e fundit parlamentare. PAA në listën e mbyllur duhet të pretendoj më shumë se një mandat”, tha ai.
Pasi la topin në fushën e Berishës, Duka u kujdes që dorën ta linte të shtrirë edhe për kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur se nuk ka “vija të kuqe” që mund ta pengojnë PAA të garojë në një koalicion me Partinë Socialiste.
“Dy kryesoret që janë ligji për bujqësinë, që është i pandryshuar prej shumë vitesh. Si dhe TVSH për produktet bujqësore që ka ndryshuar për keq. Ka qenë 6% në blerje dhe 20% në shitje dhe ka ndodhur ajo që thoni ju që është zvogëluar blegtoria. Ndërkohë sot është 0% në blerje dhe 20% në shitje. Ne mendojmë se sipas ligjit për bujqësinë, çdo fermer duhet të ketë subvencione direkte, me projekte të ndryshme. Nëse Partia Socialiste, nuk është se ka gjasa, por mundet që ti plotësojë këto kërkesa, nuk është se ne kemi ndonjë dallim të madh ideologjik le të themi. Qoftë unë personalisht, qoftë dhe kjo si parti, që është një parti e qendrës. Padyshim që mund të ndodhi. Mendoj me pragmatizëm, se PAA nëse do që të ekzistoj si çështje, jo vetëm unë, por të gjithë agronomë, veterinerë, e të rinj ambientalistë, duhet t’i lënë mënjanë pengesat ideologjike dhe në radhë të parë duhet ajo që ne përfaqësojmë, fermeri dhe bujku shqiptar”, deklaroi Duka.
/a.r