Serbia ka marrë mbështetje nga Moska për masat e fundit të paralajmëruara për Kosovën nga presidenti Aleksandar Vuçiç, disa ditë më parë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova u shpreh se iniciativa e Vuçiç është “hapi i vetëm i mundshëm” për Beogradin.
Ajo theksoi se Rusia mbështet plotësisht kërkesat e artikuluara nga presidenti serb, ndërsa shtoi se Moska mbështet po ashtu rikthimin e forcave serbe në Kosovë.
“Iniciativa e presidentit Vuçiç sugjeron se ky është hapi i vetëm i mundshëm që Beogradi e sheh tani. Ne mbështesim plotësisht kërkesat e parashtruara, mirëpresim synimin për të riparaqitur një kërkesë për kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ”, tha Zakharova.