Mundësia e një greve nga futbollistët profesionistë të ligave elitare në Europë është “e pashmangshme”, duke parë intensitetin me të cilin po luhet futboll këto kohë.
Kështu vlerësoi mesfushori spanjoll i Manchester City, Rodri në konferencën për shtyp para sfidës së Champions League, ku anglezët luajnë përballë Interit. “Çdo lojtar që pyesni do t’ju thotë këtë. Është një opinion i përgjithshëm mes futbollistëve, nuk është vetëm opinioni i Rodrit”, tha mesfushori i City, raporton A2.
Rodri i bashkohet kështu “kryengritjes” së kolegëve të tij që po merr formë së fundmi, duke u ankuar për ngarkesën e vazhdueshme mbi ta, për shkak të rritjes së numrit të ndeshjeve.
“Nëse vazhdon kështu, në një moment nuk do të ketë mundësi të tjera. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por gjithsesi është diçka që na shqetëson, sepse ne jemi ata që vuajmë”, shtoi Rodri, i cili luajti në pothuajse 60 ndeshje zyrtare vitin e kaluar, me Manchester City dhe kombëtare e Spanjës, citon A2.
Mesfushori vlerësoi se me një numër “midis 40 dhe 50 ndeshjesh”, lojtarët mund të performojnë në nivelin më të lartë, por lodhja do të shfaqet nëse ky numër rritet.
“Atëherë bie, sepse nuk është e mundur të ruash të njëjtin nivel fitnesi. Duhet të mbrohemi, ne jemi fytyrat kryesore të këtij sporti, apo të këtij biznesi, nuk ka rëndësi se si ne e bëjmë atë. Nëse njerëzit duan të shohin futboll më të mirë, ne duhet të kemi mundësi të pushojmë. Sa më shumë të rritet numri i ndeshjeve, aq më i ulët është niveli dhe cilësia”, nënvizoi Rodri, përcjell A2.
Reagimi i Rodrit vjen pak ditë pasi organi qeverisës botëror i futbollistëve profesionistë (FIFPro) bëri thirrje për masa për të mbrojtur lojtarët nga barra e vazhdueshme e ndeshjeve.
Përveç rritjes së numrit të ndeshjeve në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës (nga gjashtë në grupet e vjetra në tetë me skemën e re, plus një raund shtesë të dy ndeshjeve në Ligën e Kampionëve), fokusi është te themelimi i Kupës së Botës për Klube, edicioni i parë i të cilit është planifikuar për verën e vitit 2025, në SHBA, me pjesëmarrjen e 32 skuadrave.