Me formimin e ekipit drejtues, Partia Socialiste ka nisur punën për të hyrë në një garë për mandatin e katërt që sipas selisë rozë nuk do të jetë e lehtë. Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi, sqaron se shkak për këtë nuk është kundërshtari politik, por elektorati gri që vitet e fundit ka ardhur në rritje.
Analizat e brendshme konfirmojnë tkurrjen e militantëve partiakë përgjatë të gjithë spektrit politik.
“Shqetësimi kryesor është elektorati që gjykon mbi punën. Nuk është elektorati militant, i cili për hir të së vërtetës, dhe kjo është normale, gjithmonë e më shumë po bie. Pra, njerëzit që votojnë logon e PS apo partive të tjera janë gjithmonë e më pak, por ata që gjykojnë mbi punën janë më shumë”, tha Klosi.
Tirana do të jetë fushëbeteja kryesore në zgjedhjet e ardhshme, ku qarku pritet të këtë edhe rritje të numrit të mandateve që çon në Parlament. Për të bërë betejën votë më votë, sipas numrit dy të Partisë Socialiste, ishte e nevojshme që ky qark të funksiononte me tre drejtues politik, ku Ogerta Manastirliu merr kontrollin e strukturave të kryeqytetit: “Tirana mund të shkojë me 37-38 mandate, ka nevojë jo vetëm për këta të tre, por edhe për titullarë të tjerë të PS, qoftë nga grupi parlamentar, por do të ketë edhe ministra padyshim. Ogerta vjen me detyrë për strukturimin e partisë në të gjithë qarkun për sa i përket fushatës elektorale. Erioni me drejtimin e gjithë strukurës që do të bëjë fushatën, Elisa do të mbulojë më shumë Bashkinë e Kamzës, Rrogozhinës, Kavajës dhe Vorën”.
Të majtët janë të fokusuar tek angazhimi i patronazhimit të votës në të gjithë Shqipërinë, duke injoruar kërkesën e opozitës për qeveri teknike. Vetë Klosi ka një këshillë për demokratët: “Nuk është se nuk është fakt se ato me Edi Ramën nuk fitojnë dot, por faktin që e thonë ashtu demoralizon gjithë strukurat e tyre, gjithë mbështetësit e tyre. Kaq pak muaj para ditës së zgjedhjeve të thuash që me këtë kundërshtar nuk fitoj dot, nuk e di se ça kërkojnë më. Është një kërkesë absurde, një kërkesë e pavend dhe mbi të gjitha një kërkesë që prish garën elektorale”.
Një tjetër situatë që socialistët duhet të zgjidhin ka të bëjë me renditjen në listat e kandidatëve, ku deputetët pritet të ndahen në dy grupe, të sigurtët dhe ata që duhet të luftojnë brenda llojit për të mbijetuar në Parlament. Gjetja e një ekuilibri të brendshëm mes të resë dhe kontributit shumëvjeçar është sfida e muajve të ardhshëm.