Kërcënimet e Aleksandër Vuçiç nuk na bëjnë përshtypje. Kështu u shpreh kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca teksa komentoi planin shtatë pikësh që presidenti serb prezantoi pak ditë më parë. Ai theksoi se në veri të vendit janë të pranishme institucionet e sigurisë, e për këtë arsye nuk shqetësohen dhe frikësohen nga kërcënimet. Sipas Konjufcës, Vuçic po tenton të ruajë nëKosovë “atë që nuk e ka më”.
“Tash Vuçiçi po tenton t’i ruajë ato që nuk i ka më. Edhe faktikisht po kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës për shtyp. Mirëpo, ky është një kërcënim me thënë të drejtën nuk është se na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë edhe është shansi e humbur e qytetarëve që kanë mendime të tjera”.
Konjufca shtoi më tej se pas bojkotit të serbëve nga institucionet vendore, Kosova ka qenë para dy opsioneve.
“Unë jam i sigurt që po të kishte qenë opsioni i vjetër politik në Kosovë, do të kishim përfunduar në negociata, por kjo nuk ka qenë opsioni jonë, opsioni jonë është kushtetutshmëria me çdo kusht, qoftë edhe përmes përdorimit të organeve të sundimit të ligjit për të vendosur atje rendin dhe ligjin. Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata. Kjo nuk ka qenë opsion për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qeverisjen e Kosovës”.
I pyetur se a pranon Kosova që në takimet në Bruksel të diskutohet për veriun, Konjufca tha se dialogu ka vdekur për këtë vit. Ndërsa lidhur me aktakuzën për sulmin terrorist në Banjskë kryeparlamentari pohoi se nuk duhet të ketë vonesa, ashtu siç ka ndodhur me përpilimin e akuzës.