Një qen i shërbimit ushtarak amerikan që ka shpëtuar jetët e mijëra trupave duke nuhatur eksplozivë, u nderua me urdhrin më të lartë të trimërisë nga një organizatë bamirëse britanike për kafshët.Gjashtë vjet shërbimi aktiv me më shumë se 400 patrullime. Me çdo parametër, Lucca i ka shërbyer vendit të saj.
Ajo është stërvitur të nuhasë municione dhe eksplozivë dhe ka mbrojtur jetët e mijëra trupave aleate dhe amerikane.Trajneri i saj, oficeri i marinës amerikane Christopher Ëillingham, ka punuar bashkë me të në Irak dhe Afganistan:
“Është mjaft e zgjuar dhe besnike. Kujtoja se dija gjithçka për të por kur je me një qen në një zonë luftarake dhe kalon shtatë ditë të javës me të për shtatë muaj, e kupton thellësinë e lidhjes midis një qeni dhe trajnuesit të tij.”
Lucca ishte aq e mirë saqë gjatë çdo patrullimi të saj nuk pati asnjë viktimë.Në misionin e saj të fundit në mars të vitit 2012 ajo zbuloi një bombë 14-kilogramëshe në anë të rrugës. Ndërsa po kërkonte për pajisje të tjera, bomba e dytë u aktivizua. Lucca humbi një nga këmbët e para dhe pësoi djegie të rënda në kraharor.
Trajnuesi i saj në atë kohë ishte tetari Juan Rodriguez:
“E pashë Luccan dhe ndërsa mundohesha të ndaloja rrjedhjen e gjakut e inkurajoja duke i thënë – çdo gjë do të shkojë mirë Lucca, do t’ja hedhësh.”
Brenda 10 minutash një helicopter Medevac e çoi Lucca-n në operacion. Këmba iu pre por ajo e mori veten.
E liruar tashmë nga roli i saj, 12-vjeçarja Lucca jeton tani në Kaliforni me oficerin Ëillingham. Të dy udhëtuan për në Londër ku Lucca mori medaljen Dickin për trimëri në betejë, përcjell VoA. Është qeni i 67 që nderohet me medaljen që daton që nga lufta e dytë botërore:
“Më e rëndësishme është se është një qen i mbarë që i pëlqen të relaksohet, të shtrihet në divan, të shëtisë me familjen dhe jo më në patrullime luftarake.”
Një hero i dekoruar, po gëzon tani një pension të mbarë.