Nga Artur Ajazi
Kreu i Partisë Demokratike, ende nuk e ka bindur vehten se, pas humbjes së sigurtë në 2025, e pret zhgënjimi dhe braktisja e madhe, nga shumica e atyre që ai do ti fusë në listën për deputetë. Berisha akoma po përjeton “ngazëllim”, pasi po e mblidhen akoma njerëz poshtë ballkonit çdo pasdite, deri ditën kur ata dhe ndonjëri që vjen me “bodec”, do të ndjehen të sigurtë se janë në lista. Kjo është e natyrshme, pasi nuk ndjehesh mirë si deputet, kur në Parlament shihesh si “dele e zezë”, dhe nuk të begenis asnjë prej ndërkombëtarëve. Një parti politike si PD-ja, e ngritur mbi idealet e studentëve të Dhjetorit 1990, dhe e katandisur sot në antiemarikane dhe antieuropiane, natyrisht këtë fat do të kishte. Në politikë, nuk ka përjetësi. Gabove, largohu. Humbe, largohu. Kthim pas nuk ka. Rikthimi dhe imponimi, shpesh të kthehen në boomerang, dhe nuk ke shansin të rikthehesh kurrë në pushtet. Një parti politike, ngrihet mbi principe dhe programe serioze, ku përcaktohen qartë roli, pozicioni dhe detyrimet që rrjedhin prej postit dhe mandatit si kryetar, apo dhe ofiqe të tjera partiake. Në PD-në e Berishës, asnjë prej këtyre normave dhe kritereve, nuk është zbatuar kurrë. Berisha ka bërë politikë në vitet ’90 deri nga vitet 2000, dhe kujton se gama dhe metodologjia e ndjekur dikur, mund ti hyjnë në punë edhe sot. Në politikën e sotme, gjithçka shihet në funksion të ardhmërisë, duke u kondicionuar jo vetëm nga mbështetja e brëndshme, por gjithmonë nga mbështetja ndërkombëtare. Për një vend të vogël si yni, kjo mbetet teorikisht dhe praktikisht një eksperiencë që nuk duhet harruar. Berisha mendon edhe sot se, “mund t’ja dal mbanë edhe pa mbështetjen amerikane dhe europiane, mjafton të më mblidhen nja 200 vetë poshtë ballkonit”. Partia Demokratike, sot nuk di ku janë strukturat, nuk di numrin e saktë të anëtarëve dhe mbështetësve, nuk ka konturuar vijën dhe programin e saj politik, dhe nuk ka siguri për aleatët që do ti bashkohen asaj në fushatë. Ndërkohë rrjedhja dhe braktisja prej militantëve, i ka ardhur jo vetëm si pasojë e qëndrimit të gjatë në “stol”, por edhe si shkak i drejtimit të gabuar të lidershipit të saj. Deri ditën e votimit në 2025, Berisha do ti mbajë “me garjet” të vetët, ndërkohë që pas humbjes, zhgënjimi dhe braktisja, do të jenë sfida të papërballueshme. Ai po i qëndron fort premtimit të tij se “nuk ka kthim pas, ne do të fitojmë, në 2025 Rama ikën nga pushteti”. Arsyeja ? Për të ndalur braktisjen dhe gjetur deri atëhere një “alibi” bindëse për humbjen e rradhës. Dihet se, avazi me “vjedhje votash”, do ti paraprijë betejës me “mullinjtë e erës”, deri në rreshtin e fundit të fjalimit, ku do të thuhet se “me mua kryetar partie, demokratët do të nisin në mbarë vendin sërish protestat e fuqishme antiRama”. A thua ta besojë njeri pastaj ? As Paloka nuk mendoj se do të rrijë më në PD, të paktën kështu ka deklaruar.