Kryetarja e Komunës së Preshevës,Sinani: Shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Serbi rrezikon paqen në rajon
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka reaguar lidhur me vendimin e Serbisë e cila rkththeu shërbimin ushtarak me detyrim.
Sinani tha se rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Ajo tha se shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Serbi rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon.
“Kanë kaluar pothuajse 30 vite që nga shpërbërja e Jugosllavisë, por shqiptarët e Luginës së Preshevës ende mbeten të cenueshëm nga politikat diskriminuese të Beogradit. Në vitet e 90-ta, kur regjimi i Millosheviqit synonte shtypjen dhe përndjekjen e shqiptarëve, të rinjtë tanë u detyruan të largoheshin masivisht për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit. Sot, historia rrezikon të përsëritet! Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon”, ka shkruar ajo në ‘Facebook’.,
Sipas saj, Serbia nuk përballet me ndonjë kërcënim nga fqinjët e saj! Përkundrazi, ngjarjet e fundit të 24 shtatorit në Banjskë na treguan se, ndërsa flitet për paqe në Bruksel, Serbia planifikon destabilizimin dhe aneksimin e veriut të Kosovës.
“Kërcënimi i vërtetë për paqen dhe stabilitetin e rajonit vjen pikërisht nga vetë Serbia!. Rajoni ynë ka nevojë për paqe, zhvillim dhe të ardhme të sigurt për të rinjtë tanë. Por, për fat të keq, Serbia e Vuçiqit vazhdon të tregojë se nuk ka asnjë vullnet për normalizim dhe stabilitet. Shqiptarët e Luginës së Preshevës duan paqe, jo tensione! Rajoni ka nevojë për progres, jo për konflikte të reja!”, tha Sinani.