Taulant Balla i cili deri në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Partisë Socialiste ishte drejtues i Qarkut Fier, sot ka zbuluar nga ky qark, muajin se kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetin e tij social në Facebook, Balla bën të ditur se zgjedhjet e 2025-s do të mbahen në muajin maj ndërsa shfaqet përkrah Belinda Ballukut, e cila në Asamblenë e Partisë Socialiste u zgjodh drejtuese politike e Qarkut Fier dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi.
“Nga Fieri për një fitore si asnjëherë tjetër, në maj të vitit të ardhshëm”, shprehet Balla. Ndërsa Balluku e pyet nëse zgjedhjet janë vërtet në maj?Nga ana e tij, Balla e konfirmon një gjë të tillë ndërsa Balluku i kthehet duke u shprehur se “e bëre lajmin domethënë”.
Balla e la të kuptohet edhe dy ditë më parë në seancën e së enjtes në Kuvend, kur në cilësinë e ministrit të Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, u shpreh se qeveria ku ai bën pjesë do të japë llogari vetëm para qytetarëve, gjë që do të ndodhë në ditën e zgjedhjeve që me gjasë, sipas Ballës, do të mbahen me datë 4 ose 11 Maj.
“Do vijojmë të bëjmë gjithçka për transparencë e llogaridhënie se ua kemi borxh qytetarëve. Në 4 Maj apo 11 Maj kur të jenë zgjedhjet. Atyre u japim llogari”, tha ai.
Megjithatë, do të jetë presidenti i Republikës, Bajram Begaj ai i cili do të dekretojë datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare pas propozimit të qeverisë.
Me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga ana e presidentit do të përcaktohet zyrtarisht edhe periudha e fushatës elektorale, ku partitë do të paraqesin programet e tyre për garën e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
/a.r