Podesta, një firmë lobuese amerikane, tashmë e njohur në vendin tonë për lidhje të ngushta me ish- kryeministrin Berisha, figuron në dokumentat e aferës “Panama Papers”. Podesta Group, sipas gazetës New Europe, ka lidhje me fonde të transferuar off shore që i përkasin kompanive ruse, të cilat ndodhen nën sanksionet e SHBA-së dhe BE-së. Podesta Group ka marrë si klient një kompani ruse të quajtur Sberbank of Russia e cila ka lidhur një marrëveshje në Uashington një muaj më parë.
Sberbank është zyrtarisht një kompani private, por që ndodhet nën sanksione sipas aktit “Foreign Agent Registration Act”. Por nga dokumentet vërehet se kompania ruse në fjalë ka lidhje shumë të forta me qeverinë ruse, apo përfaqëson interesat e Moskës.
Menaxheri i llogarive të Sberbank ka qenë pikërisht Tony Podesta, kreu i kompanisë së lobimit dhe vëllai i kreut të fushatës së Hillary Clinton. Sipas kontratës bëhet e ditur se Tony Podesta ka lidhje direkte me Kremlinin.
Pas firmosjes së kontratës në mars, Podesta Group ndërmori misionin të lobonte për heqjes së sanksioneve që komuniteti ndërkombëtar i ka vënë Rusisë pas pushtimit të Krimesë.
Sipas formularit të lobimit që është regjistruar në Uashington, llogaritë e Sberbank ndodhen në ishujt Cayman, përkatësisht kompaninë Troika Dialog Group Limited, që në Qipro janë regjistruar në SBGB Cyprus Limited, dhe në Luksemburg në kompaninë SB International.
Ndërkaq, një organizatë e njohur jo-qeveritare që merret me hulumtimin e investimit të krimit të organizuar në ekonomi, thekson se një nga këto kompani është krijuar personalisht nga paratë e presidentit Putin.