SPAK po bëhet gati të mbyllë hetimet ndaj Sali Berishës dhe siç bëhet me dije këtë të mërkurë në orën 12:00 ish kryeministri do të paraqitet pranë Prokurorisë së Posaçme, për t’i komunikuar akuzën për aferën Partizani.
Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka menjëherë i është drejtuar strukturave me një mesazh ku u kërkon të mblidhen para SPAK për të protestuar për liderin e tyre.
”Të dashur miq. Ditën e mërkurë në ora 12:00 kryetari i PD, Prof Dr Sali Berisha do shkojë pranë organizatës kriminale të SKAP .
Të mobilizohemi të gjithë maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtësisë. Faleminderit”, shkruhet në mesazhin e Flamur Nokës.
Fletëthirrja i ka mbërritur edhe dhëndrit Jamarbër Malltezi, i cili po ashtu ndodhet në masën arrest shtëpie. Ai do të paraqitet në SPAK dy orë pas vjehrrit, rreth orës 14:00, për t’u njohur me akuzën. Siç e do procedura, Berisha dhe Malltezi do duhet të shoqërohen nga avokatët, ndërsa për shkak të masës arrest në shtëpi do duhet edhe që oficerët e policisë t’i shoqërojnë nga banesa drejt godinës së SPAK.
Ende nuk bëhen me dije akuzat që SPAK do i komunikojë Berishës dhe dhëndrit të tij. Aktualisht, të dy janë persona në hetim nga SPAK, Berisha për veprën penale Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose te zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Malltezi për “Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose te zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Nuk përjashtohet mundësia që gjatë hetimeve SPAK të ketë ndryshuar akuzën, ose të rëndojë pozitën e ish-kryeministrit dhe dhëndrit të tij, duke pasur parasysh që ndaj familjes Berisha dhe Malltezit ka nisur edhe një hetim i hollësishëm pasuror, ku janë venë nën sekuestro preventive edhe 25 pasuri. Ky hetim u bë shkak për zgjatjen disa herë të hetimeve ku afati për zgjatjen e fundit është 2 tetori.
/a.r