Publikohen detajet për aplikimet on- line për pajisjen me leje ndërtimi, pasi që pas datës 20 Prill, të gjithë qytetarët dhe profesionistët e licensuar mund të aplikojnë online në portalin e-Albania për t’u pajisur me leje ndërtimi.
Sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit është në fazën finale të testimit dhe do të jetë gati online duke filluar nga data 20 prill. Nga data 20 prill deri më datë 31 gusht 2016, qytetarët mund të vijojnë të aplikojnë në të dy mënyrat: në rrugë elektronike dhe në formë shkresore. Ndërsa, duke filluar nga data 1 shtator 2016, aplikimi, shqyrtimi dhe miratimi i lejeve do te kryhet ekskluzivisht përmes sistemit elektronik.
Aplikimi do t’i dërgohet bashkisë dhe bashkia do të kryeje vete – përmes sistemit – të gjithë bashkërendimin me institucionet e tjera publike, me afate të qarta dhe pa vonesa. Nëse institucionet nuk përgjigjen brenda 10 ditësh, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje.
Afatet
Afati i shqyrtimit të lejes së ndërtimit nga bashkia është 15 ditë, ndërsa institucionet e tjera që duhet të japin mendimin e tyre në lidhje me lejen duhet te përgjigjen brenda 10 ditëve pune. Në rast se institucionet publike nuk i japin përgjigje bashkisë brenda 10 ditëve pune, miratimi/pëlqimi i tyre konsiderohet i dhënë në heshtje dhe bashkia mund të vijojë më tej me shqyrtimin e aplikimit.
Në çdo rast të mungesës së përgjigjes nga bashkia brenda 60 ditësh nga dorëzimi i kërkesës së aplikuesi, sistemi gjeneron vendim për miratimin në heshtje. Bashkërendimi me të gjitha institucionet që duhet të japin mendimin e tyre mbi lejen e ndërtimit (p.sh. IMK, ZRPP, Shërbimi Arkeologjik, etj.) do të kryhet përmes sistemit elektronik të lejeve nga bashkia përgjegjëse. Mbledhja e tarifave të shërbimit për të gjitha institucionet do te kryhet nga bashkia, si zyrë e shërbimit me një ndalesë, përmes sistemit. Përmes sistemit, do të sigurohet njoftimi i vazhdueshëm i aplikuesve lidhur me statusin e kërkesës së tyre.
Ndarja e lejeve të ndërtimit
Ndarja mes lejeve të ndërtimit për sipërfaqe deri më 250 m2 dhe ndërtimeve me sipërfaqe më të madhe se 250m2. Për kategorinë e parë (leje ndërtimi për sipërfaqe deri në 250 m2) janë hequr disa kërkesa të projektit (projekti i instalimeve) si dhe nevoja e mbikqyrjes së punimeve, me kusht që, firma zbatuese të nënshkruajë një deklaratë noteriale për kryerjen e punimeve konform lejes së ndërtimit.
(javanews.al) M. A