Është rritur me 33% numri i turistëve këtë sezon në Lezhë, ndërsa muaji me ‘kulmin’ e vizitorëve ishte Qershori. Kështu ka deklaruar sot në studio e Klan News, kreu i bashkisë së këtij qyteti Pjerin Ndreu.
Ai theksoi se Lezha ka shumë për të ofruar, që nga bregdeti, objektet historike, religjioze e deri te kulinaria.
“Laguna është perlë që vizitohet. Kulinaria është një nga pikat më të forta që ka Lezha, përpos bukurive natyrore. Laguna në Vain, është super e kuruar si zonë, ka pasur shumë vizitorë, prezenca e madhe nëpër restorante, turistë nga e gjithë bota”, tha ai.
Më tej shtoi se brenda një viti e gjysmë janë shitur mbi 400 hyrje apartamentesh për turistët e 800 të tjera te shqiptarët e Kosovës.
Kryebashkiaku foli edhe për një akt-normativ që pritet të dalë së shpejti, që do ndryshojë përgjithnjë historinë e biznesit me shezlongët në bregdet.
“Do rishikohen lejet për shezlongët në sezonin e ardhshëm. Ajo që kemi parë deri më sot do të harrohet, nuk jap detaje, por të gjithë shqiptarët, çdo kategori do ta gjejë veten në të gjithë territorin e plazheve shqiptare. Nuk do jetë kjo skemë, kjo do të harrohet. Besoj se do jetë revolucion”, deklaroi Ndreu.
/a.r