Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Jurgen Kurtin, djalin e Artur Kurtit i cili u vra me thikë pasi u përlesh me të birin dhe kunatin e tij.
Nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton se Jurgen Kurti ishte bashkëpunëtor në vrasjen e të atit dhe jo autor kryesor, ndaj u vendos masë sigurie më e lehtë nga gjykata. Të paktën kështu besohet me aktet e siguruara deri tani.
Ndërkohë, për dajën e tij, shtetasin Leonard Ristani i cili edhe ai mbeti i plagosur, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”. Sipas të dhënave Ristani rezulton të jetë autori kryesor edhe pse kjo pritet të saktësohet.
Ndërkohë mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar masën “arrest me burg” për të dy të akuzuarit për vrasjen e Kurtit.