“Ju jam borxhli deri në vdekje. Treguat se ky vend ka zot”. Këto ishin fjalët me të cilat iu drejtua himarjotëve që kishin dalë në shesh përpara zyrave të OMONIA-s, për ta pritur pas lirimit nga burgu, ish-kryebashkiaku i zgjedhur i qytetit bregdetar, Fredi Beleri.
“Të dashur himarjotë. Nga Vranishti në Borsh dua t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen këto 15 muaj. Janë nder i madh për mua zgjedhjet e Himarës. Më burgosën me të padrejtë, më fajësuan me pa të drejtë dhe me pa të drejtë erdhën këtu deputetët. Nuk kanë pse ju dhunojnë dhe shantazhojnë”, tha ai, citon A2.
Pas falënderimeve dhe nënvizimit të faktit se burgosja e tij ishte e padrejtë, Beleri akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e dalë nga zgjedhjet e 4 gushtit, Vangjel Tavo se po kërkojnë të përçajnë Himarën.
“Po kërkojnë të na përçajnë, por faleminderit juve që rezistuat. Mos i besoni atyre që ju gënjejnë se do ju zgjidhin problemet. Ata janë problemi, Edi Rama dhe Vangjel Tavo”, deklaroi Beleri, shkruan A2.
Sipas Belerit, “nuk ka problem mes shqiptarëve dhe grekëve, por ka mes hajdutëve dhe të zotëve të shtëpisë”.
Në vijim, eurodeputeti më i ri i Greqisë vlerësoi rolin që luajti Athina zyrtare në mbrojtjen e figurës së tij, duke thënë se shpina e himarjotëve mbrohet edhe nga kryeministri helene Kyriakos Mitsotakis.
“Asnjë luftë nuk shkon e humbur. Nuk jemi vetëm, kemi kryeministrin grek, shtetin grek dhe ambasadoren greke. Në këtë luftë kemi me vete edhe shqiptarët e ndershëm. Ata që janë që besojnë te e drejta. Kur ishim ne Himarjotët problem për Shqipërinë? Në ‘97 ra shteti dhe Himarjotët paguanin ujë e drita. Ata që nuk i japin dot vendit të tyre mirëqenie kërkojnë armiq. Nëse jemi të bashkuar do kemi edhe zotin me vete”, nënvizoi ai.
/a.r