Situata me zjarret në vend vijon të jetë shqetësuese, teksa më kritike gjendja paraqitet në njësitë administrative Fan dhe Orosh të Mirditës. Kështu bëri me dije Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara në një lidhje me Skype për RTSH24. Cara theksoi se vatra e zjarrit ka një sipërfaqe mjaft të madhe dhe se deri më tani janë djegur rreth 350 hektarë pyje e kullota.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës tha se në terren janë 150 forca që po punojnë për shuarjen e flakëve, ndërsa forca të shtuara zjarrfikëse kanë mbërritur në zonë edhe nga bashki të tjera.
“Në njësinë administrative Fan dhe Orosh kanë qenë forca të shtuara zjarrfikëse të ardhura dhe nga bashki të tjera për të vënë këtë vatër në kontroll pasi ka një sipërfaqe shumë të madhe. Deri tani mendohet të jenë djegur deri në 350 hektarë pyje e kullota. Aktualisht në Orosh dhe në Fan vatra e zjarrit vazhdon të jetë aktive, janë rreth 150 forca operacionale që po operojnë, kemi nisur mjete nga Tirana që të afrohen sa më parë vatrës së zjarrit, kemi nisur zjarrfikëse që të mos preken banesa nga kjo vatër zjarri që vazhdon prej disa ditësh”, u shpreh ai.
I pyetur nëse rrezikohen banesa, Cara tha se është bërë e mundur që të shuhen flakët afër zonave të banuara, por theksoi se nëse do të jetë e nevojshme do të bëhet zhvendosja e banorëve
“Do bëhet një vlerësim i situatës dhe nëse do jetë e nevojshëm do zhvendosim edhe banorët, por për momentin nuk ka rrezik për banesat pasi vatra është larg banesave tashmë. Vatrat që ishin afër banesave arritëm t’i shuajmë dhe asnjë banesë nuk është prekur dhe mendojmë që nuk do kemi probleme me banesat. Kemi bërë kërkesë edhe për ndërhyrje nga ajri, por do kemi një luftë të ashpër me këtë vatër zjarri pasi është sipërfaqe shumë e madhe, era favorizon flakët dhe kemi të bëjmë me një thatësirë të jashtëzakonshme”, deklaroi Cara për RTSH24.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës kishte edhe një thirrje për qytetarët, duke i kërkuar që të jenë më të vëmendshëm.
“I bëj thirrje qytetarëve që të jenë më të vëmendshëm qoftë edhe gjatë pastrimit të një zone rreth shtëpisë së tyre sepse kemi qenë dëshmitarë që kanë shkaktuar dëme jo të pakta për të gjithë komunitetin. Pyjet janë mushkëria e këtij vendi dhe nëse ne do vijojmë kështu, do kemi probleme serioze klimaterike që do ndikojnë drejtpërdrejtë në shëndetin e të gjithëve”, theksoi Cara.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 5 vatrazjarri janë aktive në të gjithë vendin, ku problematike vijojnë të jenë zjarret në qarkun e Lezhës dhe të Kukësit.