Koalicioni Bashkë Fitojmë ka paditur në Kolegjin Zgjedhor, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbi vendimin e dhënë më 26 gusht për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 4 gushtit të Bashkisë së Himarës.
“Bashkë Fitojmë” kërkon konstatimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të mbajtura për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Himarës, si dhe përsëritjen e këtyre zgjedhjeve.
“PADITËS: KOALICIONI “BASHKË FITOJMË”, subjekt zgjedhor i regjistruar për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar Bashkie, Bashkia Himarë, të datës 4 Gusht 2024, me adresë komunikimi: Selia Qendrore e Partisë Demokratike, Bulevardi “Zhan d’Ark”, nr. 11, Tiranë, Tel: 0682077094/0697839115. L I
PADITUR: Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve KQZ, me adresë: Rr. “Ibrahim Rugova”, nr. 4, 1001, Tiranë.
PERSON I TRETË: Partia Socialiste, me adresë: Sheshi “Austria” nr. 91, Tiranë.
OBJEKTI:
- Ndryshimin e Vendimit nr. 19, datë 26.08.2024 të Komisioni për Ankimimit dhe Funksionet (KAS) pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
- 2- Konstatimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të zhvilluara në të gjitha Qendrat e Votimit (gjithsej 36 QV-të) të zonës zgjedhore, Bashkia Himarë.
- 3- Rregullimin e pasojave duke shpallur përsëritjen e zgjedhjeve në zonën zgjedhore Bashkia Himarë.
BAZA LIGJORE: Neni 145 neni 152, neni 153, neni 155, 160 dhe vijues të Kodit Zgjedhor. Drejtuar: KOLEGJIT ZGJEDHOR GJYQËSOR – TIRANË (Pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tirane)”, thuhet në padinë e “Bashkë Fitojmë”.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi më 26 gusht kërkesën e “Bashkë Fitojmë” për përsëritjen e zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës.
Përfaqësuesi ligjor i opozitës në KAS kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, pasi sipas tij zgjedhjet e 4 gushtit, u shoqëruan me problematika dhe parregullsi të rënda gjatë procesit të votimit.
Kjo kërkesë u kundërshtua nga përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji i cili argumentoi se nga hapja e kutive rezultoi se kishte zero shkelje të ligjit.
/a.r