Dinamo e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme sezonin e ri në Superiore, pasi kanë koleksionuar dy humbje dhe nuk kanë arritur të shënojnë asnjë gol, madje kanë pësuar tre.
Këto dy paraqitje nuk janë përtypur lehtë nga drejtuesit dinamovitë, të cilët kanë reaguar menjëherë duke marrë masa. Klubi, me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur pezullimin e trajnerit Dritan Mehmeti. Ndërkohë, njoftohet se deri në emërimin e trajnerit të ri, “nëndetësja” do të drejtohet nga Erjon Xhafa.
“FC Dinamo City njofton pezullimin e Dritan Mehmetit nga posti i trajnerit të ekipit të parë.
Klubi dinamovit bën me dije se teknikut Mehmeti i është dhënë drejtimi i skuadrës U-21.
Deri në momentin e zyrtarizimit të trajnerit të ri, 18 herë kampionët do të stërviten nga Erjon Xhafa, i cili momentalisht mban postin e drejtorit të akademisë blu”, njofton klubi blu.
/a.r