Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka thënë se ndotësit e mëdhenj kanë një përgjegjësi të qartë për të ulur emetimet, ose rrezikojnë një katastrofë në mbarë botën.
“Paqësori është sot zona më e cenueshme e botës. Ka një padrejtësi të madhe në lidhje me Paqësorin dhe kjo është arsyeja pse jam këtu. Ishujt e vegjël nuk kontribuojnë në ndryshimin e klimës, por gjithçka që ndodh për shkak të ndryshimeve klimatike shumëfishohet këtu. Por përfundimisht niveli i deteve në rritje po vjen për të gjithë ne”, paralajmëroi ai në Takimin e Liderëve të Forumit të Ishullit të Paqësorit në Tonga.
OKB-ja lëshoi dy raporte të veçanta mbi rritjen e nivelit të detit dhe se si ato kërcënojnë kombet ishullore të Paqësorit. Raporti i Organizatës Botërore Meteorologjike të Gjendjes së Klimës në Paqësorin Jugperëndimor thotë se ky rajon përballet me një goditje të trefishtë të rritjes së përshpejtuar të nivelit të detit, ngrohjes së oqeanit dhe acidifikimit – një rritje në aciditetin e detit sepse po thith gjithnjë e më shumë dioksid karboni.
“Arsyeja është e qartë: gazrat serrë, të prodhuara në masë dërrmuese nga djegia e lëndëve djegëse fosile, po ‘gatuajnë’ planetin tonë. Deti po e merr të gjithë nxehtësinë”, tha Guterres.
Kjo është hera e dytë që Sekretari i Përgjithshëm Guterres merr pjesë në Takimin e Drejtuesve të Forumit të Ishujve të Paqësorit. Takimi vjetor mbledh liderë nga 18 ishujt e Paqësorit, duke përfshirë Australinë dhe Zelandën e Re.
Ndërsa udhëheqësit u mblodhën për ceremoninë zyrtare të hapjes, shiu i dendur shkaktoi përmbytje të mëdha. Menjëherë më pas, një tërmet me magnitudë 6.9 goditi rajonin e Tongës, duke nënvizuar se sa i prekshëm është./ BBC
/a.r