Nga muaj Maj deri në Gusht të këtij viti janë vënë në pranga, shpallur në kërkim apo hetuar në gjendje të lirë 336 persona si autorë të zjarrvënieve të qëllimshme ose nga pakujdesia.
Referuar të dhënave zyrtare të siguruara nga Tv Klan, gjatë kësaj periudhe, janë arrestuar 61 persona, 261 janë vënë nën hetim në gjendje të lirë dhe 14 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ata dyshohen se janë autorë të 347 rasteve të “Shkatërrimit me zjarr të pyjeve” me qëllim ose nga pakujdesia dhe “Shkatërrimit të pronës me zjarr” me qëllim ose nga pakujdesia.
Të dhënat zyrtare tregojnë se 90% e zjarreve të ndezura këtë verë kanë rezultuar të qëllimshme për të hapur kullota dhe pjesa tjetër janë shkaktuar nga pakujdesia.
Ndërkohë ky vit ka pasur rritje të rasteve të zjarreve në të gjithë vendin, teksa lufta më e madhe me flakët u bë në qytetet si Gjirokastra, Korça, Dibra, Fieri, Vlora, Lezha dhe Shkodra.
Autoritetet u përballën këtë verë me mbi 500 vatra zjarri nga veriu në jug që kanë shkrumbuar ose prekur mbi 20 mijë hektarë. Për ekspertët shkak për këtë situatë u bë edhe thatësira e tejzgjatur me temperatura të larta. 3 persona humbën jetën në përpjekje për të shuar zjarret që kishin ndezur vetë, por që u kishin dalë nga kontrolli./Tv Klan