Gjeografikisht larg, e megjithatë marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Kinës kanë kaluar nëpër faza të rëndësishme, që prej pikënisjes së tyre pas Luftës së Dytë Botërore.
“Marrëdhëniet shqiptaro-kineze janë ndoshta një histori unike në marrëdhëniet midis shteteve. Gjatë komunizmit ishin marrëdhënie ideologjike që lindën dhe që u ndërtuan mbi bazën e konflikteve në lindje”, thotë historiani Enver Bytyçi.
Këto marrëdhënie kanë reflektuar ndryshimet e mëdha politike dhe ekonomike në të dy vendet, duke kaluar nga një aleancë e ngushtë gjatë periudhës së komunizmit në një partneritet strategjik në kohët moderne. Pavarësisht gjendjes së marrëdhënieve mes dy qeverive, dritëhijet e kanë shoqëruar këtë gjithnjë këtëbinom.
Ky artikull synon të analizojë evoluimin e këtyre marrëdhënieve, duke rrëmuar kështu nëhistorinë dhe faktorët që kanë ndikuar në zhvillimin e tyre.
HISTORIA E MARRËDHËNIEVE (1949-1991)
Pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, Shqipëria e vogël që në atë kohë udhëhiqej nga diktatori Enver Hoxha, u bë një nga aleatët më të afërt të Kinës në Evropë.
Për analistin Ilir Kalemaj, pikënisja e marrëdhënieve ishte pasi Shqipëria propozoi Kinën për t’u bërë pjesë e Këshillit të Sigurimit.
“Por marrëdhëniet kanë patur ulje-ngritje. Kina dhe Shqipëria kanë patur një marrëdhënie të fortë strategjike në vitet ’60-të deri në gjysmën e viteve ’70-të të shekullit të kaluar. Madje shkuan deri aty sa, ishte Shqipëria e vogël që propozoi Kinën e madhe që të ishte pjestare e Këshillit të Sigurimit, në atë kohë si vend permanent me fuqi veto, pra të pranohej ajo që ishte republika socialiste e Kinës e Mao Ce Dunit në atë kohë.“
Studiuesi dhe historiani, Gjon Boriçi, i cili është përpjekur të çajë mes dritëhijeve të marrëdhënieve mes dy vendeve, thotë se kjo mbështetje e Shqipërisë, nuk kaloi pa u vënë re, për shkak të shpejtësisë me të cilën u mor vendimi, çfarë ngriti pikëpyetjet nëshoqëritë e kohës.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë vendosur nga shkembimi i letrave përkatëse mes Enver Hoxhës atë kohë si kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme dhe ministrit të punëve të jashtme të Kinës që në nëntor të vitit ’49, por për herë të pare ambasada shqiptare në Pekin është hapur në mars- prill të vitit 1954“, thekson ai.
Forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve arriti kulmin në vitin 1960, kur Shqipëria shkëputi çdo lidhje me Bashkimin Sovjetik dhe ktheu sytë për të kërkuar mbështetje nga Kina, e cila në atë kohë drejtohej nga Mao Ce Duni.
Gjatë kësaj kohe, Boriçi thotë se Kina, u kthye në varkë të shpëtimit për sistemin komunist shqiptar.
“Ndërhyrja financiare e kinës në vitin 1961 ishte vendimtare për shpëtimin e pushtetit të Enver Hoxhës, të jetëgjatësisë së regjimit komunist“.
Kjo mbështjetje u gjet si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, ndërsa preku kryesisht industrinë e rëndë, të cilën historiani Bytyçi e citon kështu:
“Në këtë periudhë marrëdhëniet, arritën lulëzimin. Në aspektin politik, pasi pati vizita mbi tre herë nga zyrtarët. Ndihmat ishin të mëdha. Në pesë vite, u ndërtuan më shumë se 400 objekte industriale.“
Një nga projektet më të rëndësishme ishte ndërtimi i Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, i cili u bë simbol i bashkëpunimit mes dy vendeve. Megjithatë për Boriçin, cilësia e këtyre inevstimeve, ishte e ulët.
“Shumë prej uzinave dhe fabrikave që u ndërtuan nga Kina, nuk i mbijetuan kohës sepse teknologjia e tyre ishte e dobët dhe e prapambetur, megjithatë propaganda, tentoi të bënte të vetën”, thotë Boriçi.
Një tregues i rëndësisë që mori Shqipëria për Kinën, ishte edhe mbeshtetja ushtarake që i dha vendit, pavarësisht se politikat e brendshme të saj diktonin, më pak investime në infrastrukurën e armatimit.
Bytyci sqaron se: “Ndonëse Kinezët ishin kundër investimeve, te shpenzimeve të mëdha të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes, përsëri ata me kërkesë dhe insistim të qeverisë shqipëtare dhe të liderëve politikë dhe udhëheqësve komunist të kohës investuan miliarda edhe për ushtrinë. Kina ka investuar 11 miliardë dollar për ushtrinë shqiptare”.
Gjatë kësaj periudhe, Kina dhe Shqipëria ndanin pikëpamje të ngjashme ideologjike dhe kritikonin Bashkimin Sovjetik për devijimin nga parimet marksiste-leniniste.
Shqipëria u shndërrua në një qendër ideologjike për Kinën, e cila e përdorisi një bazë për të përhapur ndikimin e saj në rajon dhe për të promovuar versionin e saj të komunizmit në të gjithë Europën.
“Në vitet ’60-të kanë qenë ndihma dhe kreditë kineze të cilat bën të mundur edhe një lloj stabiliteti politiko ekonomik të Shqipërisë. Për gjithë vitet ’60-të, Shqipëria ka patur një rritje të konsiderueshme ekonomike dhe industriale, jo për meritën e saj. Sipas disa letrave të OKB-së rritja ekonomike e shqipërisë dhe industriale arrinte në shifrën 7.4%, për vitet ’60-të”, sqaron më tej Boriçi.
Ky bashkëpunim i ngushtë vazhdoi deri në fund të viteve 1970, kur Kina filloi të ndryshojë politikën e saj të jashtme dhe të zgjerojë marrëdhëniet me vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik, gjë që tronditi thellëlidhjen mes dy vendeve.
Për studiuesit, reagimi i Shqipërisë ishte i nxituar, sidomos duke marrë parasysh që grantet dhe kreditë e Kinës, i kishin dhënë një dorë të rëndësishme ekonomisë vendase.
Shkatërrimi i marrëdhënieve, veç dobësimit politik, solli një krizë në ekonominë shqiptare.
Brici thotë se për shkak të shkëputjes së kredive dhe granteve kineze “Në vitin 1990-1991 ekonomia dhe industria shqiptare shkuan në- 60%“ duke kaluar nëpër një fazë fatale.
Edhe në rastin e ndarjes, komunikimi publik i Kinës ishte shumë i kujdesur, ndryshe nga ai i zyrtarëve shqiptarë, që mes të tjerash, u përpoqën të rregullojnë marrëdhëniet me një truk politik, që nuk u pranua nga pala kineze.
Bytyci tregon se Hoxha dërgoi një letër në Kinë, ku fajin ja vendoste Beqir Ballukut, që sipas Partisë u etiketua si Armik i Popullit dhe u ekzekutua, gjë që nuk u besua nga zyrtarët në Kinë.
PERIUDHA E TRANZICIONIT (1991-2000)
Me rënien e komunizmit në Shqipëri në fillim të viteve 1990, marrëdhëniet me Kinën u dobësuan ndjeshëm.
Shqipëria,thotë Analisti Ilir Kalemaj, filloi të orientonte politikën e saj të jashtme drejt Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, duke kërkuar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si Bashkimi Evropian dhe NATO.
Ndërkohë, Kina po kalonte nëpër transformime të mëdha ekonomike dhe po ndiqte politika të hapjes dhe reformës. Megjithatë, lidhjet historike mes dy vendeve mbetën një bazë e rëndësishme për rikthimin e marrëdhënieve në të ardhmen.
“Në këtë periudhë, Shqipëria u përball me sfida të mëdha ekonomike dhe politike. Ndërsa vendi po kalonte nga një sistem i centralizuar në një ekonomi të tregut të lirë, investimet kineze u reduktuan ndjeshëm, ndrsa fokusi mbeti te industria përpunuese”, thotë ekonomisti Eduart Gjokutaj.
“Industria e Kinës është mbajtur me industrinë e përpunimit. Ky do të ishte edhe modeli që do të sillej në Shqipëri,“ thotë ai.
Pasi kuptoi që nuk as rruga e Mëndafshit, as nisma „Një brez, një udhë“ nuk funksiononin dot pa fuqitë e mëdha perëndimore, Kina ishte e fokusuar në përmirësimin e marrëdhënieve mes tyre, por nga ana tjetër me synimin e qartë për të shtrirë ndikimin në Europë.
MARRËDHËNIET MODERNE (2000-2024)
Në fillim të shekullit të 21-të, Kina filloi të shfaqte interes më të madh për Ballkanin, duke parë rajonin sërish si një portë strategjike për në Evropë.
Investimet kineze në Shqipëri kanë përfshirë ndër vite projekte të rëndësishme infrastrukturore, duke përfshirë ndërtimin e rrugëve, porteve dhe hekurudhave. Një nga projektet më të rëndësishme ishte ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, e cila lidh Shqipërinë me Kosovën dhe më tej me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Një tjertër fokus thotë Gjokutaj, ishte tregtia.
“Marrëdhëniet tregtare kanë një ekspansion. Edhe vetë bizneset shqiptare marrin lëndë të parë nga Kina, sidomos për shërbimet tekstile.“
Vitet e fundit janë karakterizuar nga marrëdhënie korrekte politike, ku bie në sy se Shqipëria ka mbajtur një politikë të balancuar duke ruajtur marrëdhënie të forta me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Ndërsa investimet kineze kanë sjellë përfitime ekonomike të konsiderueshme, ato gjithashtu kanë ngritur pyetje rreth transparencës dhe qëndrueshmërisë së projekteve.
“Natyrshëm që ka hapësira për më shumë bashkëpunim, por kjo kërkon kujdes sepse mund të bjerë ndesh me politikat dhe qasdjet strategjijke të Shqipërisë. Mund të konsideorhen të dëmshme nga aletatët perëndimorë”, thotë Gjokutaj.
Për Kalemajn, Shqipëria është treguar e kujdesshme pasi “investimet kineze janë shtruar më shumë në vende të tjera të Ballkanit, sic është rasti i Serbisë dhe Beogradit”.
Ndërsa për Bytyçin, “Shqipëria duhet të ketë kujdes që të ndërtojë marrëdhëniet bazuar në interesin e kombit, sidomos në një kohë, kur marrëdhëniet ekonomike, kanë marrë qasje të reja”.
Perspektivat për të ardhmen e marrëdhënieve mes Kinës dhe Shqipërisë janë të ndërlidhura ngushtë me zhvillimet globale dhe rajonale. Ndërsa Kina vazhdon të zgjerojë ndikimin e saj ekonomik dhe politik në Ballkan, Shqipëria do të duhet të gjejë mënyra për të maksimizuar përfitimet nga ky bashkëpunim por duke ruajtur një politikë të jashtme të balancuar.
Megjithese Shqiperia eshte anetare e Natos ,miqesia me Kinen duget akom te forcohet . Kina eshte sot lokimotiva e ekonomise boterore