Një 28-vjeçare, nënë e 2 fëmijëve është vrarë mëngjesin e sotëm nga bashkëshorti i saj. Krimi që dyshohet se është kryer në prani të fëmijëve, ndodhi rreth orës 7:10 në rrugën e ‘Qelqit’ në Kombinat, ku viktimë ka mbetur 28-vjeçarja Ilda Dervishi.
Policia ka ndaluar bashkëshortin e saj, 29-vjeçarin Admir Dervishi, punonjës i Gardës së Republikës. Fillimisht gruaja është transportuar me plagë të rënda në Spitalin e Traumës, por për shkak të gjendjes së rëndë ajo nuk ka mundur të mbijetojë.
Sipas hetimeve paraprake të policisë, thuhet se 28-vjeçarja është qëlluar me armë nga bashkëshorti pas një konflikti mes tyre për shkaqe xhelozie.
Admiri ka qëlluar 4 herë në drejtim të gruas, 2 prej plumbave e kanë prekur 28-vjeçaren në trup. Sipas dëshmitarëve sherri në shtëpi ka nisur herët në mëngjes rreth orës 6:30, kur janë dëgjuar të qarat e fëmijëve dhe zhurma të tjera. Më pas banorët kanë dëgjuar të shtënat, dhe një nga plumbat ka prekur derën e jashtme gjë që të bën te mendosh se ndoshta gruaja ka dashur të largohet.
Pas kësaj Admiri ka zbritur fëmijët te fqinja një kat më poshtë ku mësohet të ketë thënë “M’i mbani fëmijët se ma vranë gruan”. Fëmijët të cilët e kanë parë gjithë skenën kanë qëndruar për 2 orë te fqinja derisa kanë mbërritur motrat dhe nëna e Admirit që kanë marrë fëmijët.
Policia po merr në pyetje 29-vjeçarin, i cili ndodhet në gjendje shoku, për të zbardhur të plotë krimin e rëndë. Fqinjët e familjes Dervishi kanë pohuar se kanë dëgjuar 2 të shtëna dhe më pas kanë njoftuar policinë.
BANORËT
Banorë të lagjes ku ndodhi vrasja kanë pohuar për News24 se nuk e njihnin mirë familjen Dervishi, pasi kishin vetëm 1 vit që kishin ardhur në këtë zonë dhe vetëm 2 javë në këtë apartament. Ata kanë treguar se një prej fqinjëve ka dëgjuar të shtënat dhe ka lajmëruar policinë.
“Nuk e njihnim mirë çiftin. Kishin një vit që kishin ardhur në lagje. Nuk kishim dëgjuar për probleme më parë. Çifti kishte 2 fëmijë, një djalë 5 vjeç dhe një vajzë 8 muajshe”, kanë thënë banorët.
Ndërkaq mësohet se fëmijët i ka mbajtur një nga fqinjët për 1 orë më pas ka ardhur nëna e vajzës që i ka marrë./BW